Kamerat, si do të vëzhgohet numërimi i votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë në shqyrtim sot projektvendimin për përdorimin e kamerave në qendrat e numërimit të votave në zgjedhjet e ardhshme. Në dokument janë parashikuar dy propozime. Propozimi i parë parashikon kamerë dhe monitor për çdo tavolinë të numërimit të votave, ndërsa propozimi i dytë parashikon një kamerë për çdo qendër numërimi, por kamera të jetë me rezolucion të madh që të mbulojë të gjitha tavolinat. Dallimi mes dy propozimeve qëndron jo vetëm tek numri i kamerave, por edhe tek sistemi i monitorimit. Propozimi i parë është i parashikuar pa sistem monitorimi në KQZ dhe i dyti me sistem monitorimi në KQZ. Në një material të detajuar nga drejtoritë përkatëse të këtij institucioni përshkruhet me hollësi i gjithë procesi që duhet ndjekur që nga zhvillimi i tenderit për blerjen e tyre e deri tek afati i instalimit të tyre para zhvillimit të zgjedhjeve. KQZ-ja ka parashikuar që ky proces të realizohet me sukses. Përveç sigurimit të mallrave dhe shërbimeve, VNV-të do të jenë gati për të filluar instalimin e pajisjeve jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe përfundimi i instalimit jo më vone së 10 ditë para ditës së zgjedhjeve. Për momentin nuk mund të thuhet një shifër e saktë e fondit që ka KQZ-ja për të realizuar këtë proces, por ai pritet të zbardhet pas datës 10 mars, kur Ministria e Financave t’i akordojë këtij institucioni fondin për zgjedhjet. Parashikohet që për mbarëvajtjen e gjithë procesit duhet rreth 100 punonjës të kualifikuar për çdo etapë të tij. Paraprakisht në KQZ është ngritur një grup pune i përbërë nga specialistë nga Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit, Drejtoria e Logjistikës, Drejtoria Juridike dhe Njësia e Prokurimit, të drejtuar nga sekretarja e përgjithshme e KQZ-së. Janë këto drejtori që kanë dhënë informacion mbi gjithë procesin.
Tenderi
Ka dy mënyra për zhvillimin e tenderit për blerjen e kamerave dhe monitorëve, tender i hapur, procedura me negocim me njoftim paraprak. Duket se KQZ-ja do të ndjekë rrugën e dytë, pasi e para kërkon më shumë kohë nga çka në dispozicion KQZ-ja për të përgatitur procesin. Përveç të dhënave për zhvillimin e tenderit për të blerë të gjitha pajisjet e nevojshme, specialistët kanë parashikuar në detaj për të dyja propozimet edhe çështjet teknike në mënyrë që monitorimi i numërimit të votave të rezultojë efikas. Parashikohet që në çdo VNV do të ndërtohet një rrjet fizik ku do të përfshihen kamera, monitorë (ekrane), DVR (digital video registrator), network swich, invertitorë ups dhe kabllo për lidhjen e këtyre pajisjeve në rrjet. Sa u përket kamerave, sipas llogarive, për 66 VNV, do të duhet të ngrihen 385 tavolina numërimi. Pra, do të duhen 385 kamera shoqëruar me të njëjtin numër monitorësh. Do të duhen 66 pajisje regjistruese që të mundësojnë regjistrimin e pandërprerë të numërimit. Parashikohen 66 invertitorë ups që do të mundësojnë energjinë elektrike nëse ajo mungon. Propozimi i dytë parashikon një kamerë për çdo qendër numërimi, duke parë në kohë reale në monitorë këto VNV. Për këtë do të duhet të ngrihet një rrjet i të dhënave për të lidhur VNV-të me sallën e mbledhjeve të KQZ-së. Kamera qendrore me pamje 3600 që të mbulojë gjithë VNV-në, pra gjithsej 66 kamera të tilla. Kjo kamerë do të regjistrojë dhe transmetojë pamje vizive dhe zanore me një rezolucion të përshtatshëm në ambientet e monitorimit (KQZ). Specialistët propozojnë se mund të bëhet edhe një kombinim, që KQZ-ja të blejë pajisjet për t’i pasur pronë të vetën dhe të pajtojë një kompani për shërbimin.
Varianti pa sistem monitorimi në KQZ
Nr. Pajisje Njësia Sasia Shënim
1 Kamera për tavolinat e numërimit copë 385
2 Monitorë TV LCD copë 385
ose Projektorë copë 385
Ekrane copë 385
3 Pajisje regjistruese copë 66
4 Network swich copë 66
5 Invertitorë ups copë 66
6 Kabllo të ndryshme ml ?? Në përshtatje me VNV
Varianti me sistem monitorimi në KQZ do të duhen edhe
Nr. Pajisje Njësia Sasia Shënim
1 Kamera me 3600 në VNV copë 66
2 Kompjutera për VNV-të copë 66
3 Monitorë TV LCD të ndryshëm në KQZ copë 10
4 Server për menaxhim në KQZ copë 2
5 Kompjutera për menaxhim në KQZ copë 2
6 Network swich në KQZ copë 1
7 Invertitorë ups në KQZ copë 2
KQZ, sot vendimi për kodet e sigurisë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu për sot shqyrtimin e projektvendimit për miratimin e modelit të kutisë së votimit, kutisë së materialeve zgjedhore dhe kodeve të sigurisë që do të përdoren për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ndonëse ka qenë në rendin e ditës, KQZ-ja me kërkesë të përfaqësuesit të Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, shtyu për në mbledhjen e radhës shqyrtimin e këtij projektvendimi. Gjonçaj kërkoi shtyrjen me arsyetimin se nuk është njohur në kohë me materialet që shoqërojnë këtë projektvendim. Sipas projektvendimit, përmasat, transparenca dhe elementet e sigurisë në kutinë e votimit do të jenë të njëjta me ato që u përdorën për zgjedhjet vendore në 2007-n, çka do të thotë se KQZ-ja do të përdorë kutitë e 2007-s edhe në zgjedhjet e 28 qershorit. Kutitë e vjetra do të rivihen sërish në përdorim, pasi kanë rezultuar të përshtatshme dhe tepër të sigurta. Kodet e sigurisë që u përdorën për mbylljen e kutive të votimit në zgjedhjet lokale, edhe pse janë në gjendje në magazinën e KQZ-së, nuk do të përdoren në zgjedhjet e qershorit, pasi mund të përbëjnë rrezik për ecurinë e procesit elektoral. KQZ-ja pritet të vendosë në mbledhjen e sotme edhe për blerjen e kodeve të reja me elemente të tjera sigurie në sasinë 90 mijë copë.
Zgjedhjet, KQZ, nevojë për personel shtesë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nevojë për personel shtesë në mënyrë që të përballojë të gjitha përgatitjet për procesin zgjedhor. Sot, pritet që KQZ-ja të marrë në shqyrtim projektvendimin për personelin shtesë. Drejtoritë përkatëse kanë paraqitur planin dhe vetëm procesi i vendosjes së kamerave në qendrat e numërimit të votave parashikon deri në 100 punonjës. Njëkohësisht parashikohet rekrutimi i punonjësve të rinj për një periudhë 3 deri në 5 muaj për hedhjen e të dhënave për procesin zgjedhor, operatorë për kontrollin manual të tabelave të rezultateve, operatorë për hedhjen e të dhënave, specialistë për kontrollin e të dhënave elektronike, specialistë ndihmës teknikë për VNV-të.