Ligji, sigurim i detyrueshëm kundër zjarrit për shtëpitë
Qeveria dërgoi në Kuvend projektligjin “Për administrimin e objekteve të banimit”, ku përcaktohen kushtet dhe detyrimet e reja të komunitetit brenda një pallati apo shtëpive private. Krahas mirëmbajtjes, projektligji përcakton detyrimin për çdo familje sigurim të detyrueshëm nga zjarri për apartamentin apo shtëpinë. Projektligji i ri vendos që krahas regjistrimit të pronës, do të ketë një akt nënshkrimi për bashkëpronësinë dhe ngre një asamble bashkëpronarësh për menaxhimin e pronave. Banorët do të duhet të paguajnë taksë mirëmbajtjeje. Një tjetër detaj ka të bëjë me mënyrën e zhvillimit të zonave. Në rast se një grup pronarësh që vendosin të prishin shtëpitë e tyre për ngritjen e ndonjë kompleksi ndërtimi, kjo duhet bërë në bashkëpunim me pushtetin lokal. Projektligji përcakton se pushteti lokal mund të ndërhyjë në mënyrë që nga ndërtimi të përfitohen banesa për të pastrehët. Organet e qeverisjes vendore mund të mbështesin bashkëpronarët me të ardhura të ulëta me financime ose duke vënë në dispozicion personelin teknik.
Akti i bashkëpronësisë bëhet në kohën kur regjistrohet ndërtesa e banimit, çdo njësi individuale së bashku me kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi regjistrohet më vete dhe përbën një pjesë të veçantë pasurie të paluajtshme. Kur prona e çdo njësie kalon nga krijuesi te pronari individual dhe për çdo ndryshim tjetër të mëvonshëm të pronësisë së njësisë, në regjistër shënohet data e ndryshimit të pronësisë, emri i pronarit të ri dhe çdo informacion tjetër i nevojshëm për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Për ndërtesat e banimit që janë të regjistruara në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, asambleja e bashkëpronarëve mund të autorizojë kryesinë të kryejë regjistrimin e aktit të bashkëpronësisë. Përgatitja e aktit të bashkëpronësisë bëhet nga subjekte të licencuara në disiplinën e projektimit ose zbatimit të ndërtimeve civile. Shpenzimet për përgatitjen e aktit të bashkëpronësisë përballohen nga bashkëpronarët.
Tarifa e administrimit për secilin bashkëpronar përcaktohet duke u bazuar në shpenzimet e administrimit dhe në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi të pronarëve të njësive. Asambleja mund të miratojë me 90 për qind të votave, pavarësisht kuotës së pjesëmarrjes, tarifa të jetë e njëjtë për të gjithë bashkëpronarët. Fondi rezervë krijohet në një llogari bankare në emër të asamblesë së bashkëpronarëve nga pagesa e tarifave mujore ose pagesave vjetore, sipas vendimit të asamblesë. Ky fond mund të preket vetëm për nevoja të paparashikuara, si dhe për çdo veprimtari që miratohet nga asambleja në momentin e krijimit të fondit rezervë. Për çdo objekt banimi do të caktohet një administrator ose shoqëri administruese. Ata kryejnë ato detyra që u janë dhënë me kontratë ose në marrëveshje me kryesinë, në varësi të formës së administrimit të zgjedhur. Administratori ose shoqëria administruese zbaton vendimet, përfshi edhe kontraktimin e subjekteve të treta. Administratori ndërmerr veprime për të eliminuar dëmtimet e pronës së përbashkët, mbledh, faturon ose kontrollon derdhjen në llogari bankare të tarifave mujore, merr masa dhe veprime ligjore për rastet e moskryerjes së tarifave mujore, mban buxhetin për mirëmbajtje dhe riparime, kontrollon kostot dhe pagesat e të gjitha faturave në emër të asamblesë.
Të drejtat dhe detyrimet e pronarëve
Pronari i apartamentit ka detyrim të respektojë normat e etikës dhe bashkëjetesës të përcaktuara në Rregulloren e Administrimit të Ndërtesave. Ai duhet të mos pengojë bashkëpronarët e tjerë për të gëzuar objektet që janë në bashkëpronësi të detyrueshme. Pronari është i detyruar që të paguajë tarifën e administrimit pavarësisht nëse nuk banon apo e ka dhënë atë me qira. Pronari duhet të lejojë kryerjen e inspektimeve dhe riparimeve të pronës së përbashkët brenda njësisë në pronësi të tij. Njëkohësisht ka të drejtë të kërkojë nga bashkëpronarët e tjerë në bashkëpronësinë e detyrueshme ku bën pjesë apo dhe nga përdoruesit e këtyre njësive të veçanta, që mos ta cenojnë në përdorimin dhe gëzimin e objekteve të pandashme, si dhe dëmshpërblimin dhe ndreqjen e dëmit, kur ky i fundit ka rrjedhur nga veprimet e tyre. Gjithashtu ai ka të drejtë të marrë pjesë në vendimmarrje, të informohet nga asambleja ose administratori dhe shoqëria e administrimit për vendimet e marra nga asambleja, kur nuk ka qenë i pranishëm, si dhe të informohet rregullisht nga administratori dhe nga mbledhjet vjetore të asamblesë për përdorimin e tarifës së administrimit, apo të informohet nga administratori apo shoqëria e administrimit për mospagesën e tarifës së administrimit nga pronarët e tjerë.
Ku fillon prona ime, ku mbaron e tjetrit
Projektligji përcakton ligjërisht pronësinë individuale dhe bashkëpronësinë. Pronësia individuale përfshin çdo element që ndodhet brenda këtij perimetri si, dritaret, dyert, shkallë të brendshme që i shërbejnë vetëm njësisë individuale, me përjashtim të mureve mbajtës dhe pjesëve të tjera, të cilat janë të domosdoshme për ekzistencën, funksionimin dhe qëndrueshmërinë. Objekte në pronësi të përbashkët janë të gjitha pjesët e një prone në bashkëpronësi përveç njësisë. Prona e përbashkët është e pandashme dhe është në pronësinë e përbashkët të pronarëve të njësive individuale në përputhje me kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi. Prona e përbashkët përfshin të gjitha pjesët e ndërtesës, territorin, pajisjet, mjedisin dhe objektet në shërbim të saj, që nuk janë destinuar për përdorim individual dhe nuk janë pronë publike, si trualli mbi të cilin është ngritur ndërtesa, oborret e rrethuara, parkimet, pishinat, gjelbërimi, themelet, muret mbajtëse, çatia, tarraca, shkallët, sheshpushimet, ashensorët, kalimet, bodrumet, puset, pusetat, depozitat e ujit, kaldajat. Projektligji thekson se përveç rasteve kur në aktin e bashkëpronësisë ose në projektin e godinës së banimit nuk specifikohet ndryshe, kufiri i pronësisë individuale të njësisë përcaktohet nga sipërfaqja e brendshme perimetrale e mureve ndarëse të njësisë me njësitë e tjera individuale, tavanet dhe dyshemeja. Njëkohësisht përfshihen pjesë të ndërtesës për përdorim të përbashkët, të cilat janë instaluar gjatë ndërtimit ose më vonë, si kanalizime, kolona shkarkimi, oxhakë, sisteme elektrike, hidraulike, gazi ose ngrohjeje që mund të kalojnë nëpër pronën e përbashkët deri në pikat e shpërndarjes në njësitë individuale.