Topi: Tani, moment i artë për aplikimin në BE
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka inkurajuar qeverinë që të paraqesë aplikimin në BE për të fituar statusin e kandidatit për të hyrë në familjen evropiane. Në një deklaratë për mediat, kreu i shtetit tha se ky është momenti ideal që Shqipëria të paraqesë kandidaturën. “Ne të gjithë jemi të interesuar që të bëjmë aplikimin për në Bashkimin Evropian. Jam i bindur që është momenti i artë që Shqipëria ta bëjë këtë aplikim për në BE, sepse kjo është ëndrra që pritet të realizohet nga të gjithë shqiptarët”, - tha Topi. Kreu i shtetit vlerëson se Shqipëria duhet të bëjë këtë hap kur në BE drejton Çekia. Presidenti Topi u pyet nga gazetarët për optimizmin e tij se Shqipëria do të hyjë në BE në vitin 2012, deklaratë e bërë gjatë vizitës në Itali. Topi u përgjigj duke thënë se ky ishte një vlerësim i besueshëm. “Çdo politikan dhe institucion duhet të bëjë vlerësime analitike dhe integrale. Fakti që ne pas një muaji jemi anëtarë me të drejta të plota në NATO është një shkallë shumë e rëndësishme dhe e sigurt drejt integrimit në BE”, - tha Topi. Ai shtoi se hyrja e Shqipërisë në NATO do të përshpejtojnë integrimin në BE. “Gjërat shkojnë në mënyrë shumë të sinkronizuar, vendet e BE-së janë njëkohësisht pjesa më e madhe dhe e vendeve të NATO-s dhe na kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme. Është kjo mbështetje që na bën ne optimistë që pa precizuar vitin, sepse nuk jam unë ai që precizon vitin e futjes në BE, por duke bërë një analizë të logjikshme, unë them që dhe Shqipëria shumë shpejt do të jetë edhe vend i BE-së”, - tha Topi.
Deklarata e Presidentit u bë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar, në pavijonin kushtuar viktimave, të dënuarve dhe të përndjekurve nga komunizmi. Ai tha se duhet të ngrihet një muze ku të evidentohet qartë krimi komunist në Shqipëri. “Kështu që do të përkrah çdo lloj nisme që ky pavijon modest të jetë vetëm fillimi i një pune për të ndërtuar një muze, i cili jam i bindur që do të pasurohet me materiale arshivore, jo vetëm nga institucionet, por dhe nga dëshmitë konkrete, që besoj se janë jo të pakta nga familjet shqiptare. Nga informacionet që kam, ka shumë dokumente që mund të futen dhe jam i bindur që do të ketë një muze të posaçëm në mënyrë që asnjëherë të mos ikin nga memoria e Shqipërisë. Janë shumë të dhimbshme, është e dhimbshme po të shikosh që ka dekrete të vitit 1990 për dënime të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe përfytyroni që brenda një periudhe tetëmbëdhjetëvjeçare Shqipëria është një vend i hapur dhe çdo ditë ne jemi pranë atij momenti të madh kur shqiptarët do të lëvizin pa vizë në botën, në të cilën ne jemi pjesë integrale”, - deklaroi Topi.