E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Mirrou, diskutohen projektet e BERZH-it në Tiranë

Kryeministri Berisha u takua në Stamboll me presidentin e BERZH-it, z. Tomas Mirrou dhe me zëvendëspresidentin e BERZH-it zotin Frimën. Në takim u diskutua mbi ecurinë e projekteve të BERZH-it në Shqipëri dhe perspektivat e zgjerimit të portofolit të investimeve në kushtet aktuale që po kalojnë tregjet financiare të botës. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin më të madh mbi rolin dhe kontributin e BERZH-it në zhvillimin e sektorit privat të ekonomisë që në fillimet e tranzicionit në Shqipëri, në të gjithë sektorët e ekonomisë si në zhvillimin e tregut financiar, modernizimin e infrastrukturës, përmirësimin e sektorit elektrik etj. Kryeministri u ndal në prioritetet e tjera që ka qeveria shqiptare për të cilat kontributi i BERZH-it do të ishte i mirëpritur dhe këto konsistojnë pikësëpari në fuqizimin e transmetimit të energjisë me Maqedoninë, kompletimi i rrjetit hekurudhor mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, vazhdimin e mbështetjes në projektin e rrugëve rurale në të cilat vazhdon financimi dhe nga donator të tjerë si dhe mbështetjen e sektorit privat, në veçanti të ndërmarrjeve të privatizuara, ARMO-s, OSSH-së etj. Z. Mirrou falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen që i ka dhënë BERZH-it në procesin e implementimit të projekteve të saj. Gjithashtu, z. Mirrou u shpreh mjaft pozitivisht mbi gjendjen e sistemit bankar dhe financiar në Shqipëri, si dhe mbi gatishmërinë e institucioneve për të vazhduar më tej aktivitetin e investimeve të tyre në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›