Vrasja e Mitros në Fier, arrestohen dy djemtë në Holandë

Tiranë, 31 tetor 14:18 NOA – Dy djem 28-vjeçarë nga Fieri, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, janë arrestuar në Holandë, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Lajmin e konfirmoi pak minuta më parë për agjencinë e lajmeve NOA, Laura Totraku, drejtore për marrëdhëniet me Publikun në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana bën me dije se të arrestuarit janë Fredi dhe Sokol Aliaj, dy 28 vjeçarë nga Fieri.
Mësohet se kapja e tyre është bërë në sajë të ndjekjes profesionale dhe bashkëpunimit e shkëmbimit të informacionit ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me strukturat homologe në Holandë dhe Itali.
Fredi Aliaj, 28 vjeç nga Fieri është dënuar me 23 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së për Krime të Rënda me vendim të datës 7 maj 2007.
Aliaj u gjet fajtor për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, duke i shkaktuar mundime të veçanta viktimës Robert Mitro. Ky vendim është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr. 50, datë 1 nëntor 2007.
Po ashtu është arrestuar Sokol Aliaj, të cilin Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr. 50, datë 01 nëntor 2007, e ka deklaruar fajtor, për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, duke e dënuar me 20 vjet burg.
Vendimi i vitit 2007
Për krimin e shëmtuar, më 7 maj 2007, Gjykata e Krimeve të Rënda dha dënimin për kater të pandehurit e vrasjes së tre viteve më parë të elektricistit nga Fieri.
Ismet Boriçi dhe Fredi Aliaj janë dënuar përkatësisht me 25 dhe 23 vjet burg për veprën penale të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, duke i shkaktuar mundime të veçanta viktimës".
Nderkohë, Sokol Aliaj dhe Platon Pepa janë dënuar secili me 3 vjet heqje lirie, për veprën penale "moskallëzim krimi".
Autori kryesor është cilësuar Ismet Boriçi, i cili është hakmarrë për një lidhje të dyshuar dashurore që elektricisti ka pasur me kushërirën e tij në Fier.
I pranishëm në sallën e gjyqit ka qene vetëm i akuzuari Platon Pepa, i arrestuar dy vite më vonë, në prill të 2006.
Ndersa tre të tjerët u dënuan në mungesë, pasi janë ende në kërkim policor.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, vendosi të dënojë për vrasje Ismet Boriçin dhe Fredi Aliajn, ndërsa dënoi për moskallëzim krimi Platon Pepën dhe Sokol Aliajn.
Ne seancën pararendëse, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, pati kërkuar 25 vjet burg për Ismet Boriçin, 23 vjet për Fredi Aliajn dhe nga 20 vjet burg për Platon Pepën dhe Sokol Aliajn, të cilët i konsideronte po aq fajtorë sa Boriçi dhe Fredi Aliaj.
Por, pasi ka shqyrtuar te gjitha provat e paraqitura nga të dy palët, si nga mbrojtja ashtu dhe nga akuza, trupi gjykues ka vendosur që të shpallë si autorë kryesorë të vrasjes së Robert Mitros, Ismet Boriçin dhe Fredi Aliajn, të dënuar në mungesë.
Ngjarja që erdhi nga një histori dashurore
Historia e lidhjes dashurore te Fierit, ka ndodhur në vitin 2004 duke sjellë pengmarrjen dhe masakrimin e elektricistit Robert Mitro.
Robert Mitro, 37 vjeç, nga qyteti i Fierit, punonte si hidraulik-elektricist në një pallat që po ndërtohej në Plazhin e Durrësit, te sektori "Hekurudha".
Gjate kësaj kohe, ai banonte në një apartament në katin e pestë të pallatit në Plazh.
Atje ai dyshohej se kishte një lidhje intime me kushërirën e të pandehurit kryesor, Boriçi. Në janar 2004, autorët kanë hyrë në banesën e Mitros, pa përdorur forcë. Derën e ka hapur vajza 18-vjeçare, me të cilën ai bashkëjetonte, që mendohet të jetë dhe shkaku kryesor i tragjedisë, pasi ishte kushërira e Ismet Boriçit.
Mitro është goditur fillimisht me levë hekuri dhe në trup i janë gjetur shumë hematoma, ndërsa më pas është mbështjellë me batanije dhe futur në bagazhin e makinës së tij.
Viktima u gjet disa orë më vonë nga policia që nisi hetimet pasi e konstatoi të vdekur. Autorët kryesorë u shpallën në kërkim, ndërsa ndaluan një prej te dyshuarve, Platon Pepën, kurse dy të tjerë, Aliajt, tashmë pritet të ekstradohen në Shqipëri.
a.k/NOA