E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan: Po inkurajojmë investitorët të vijnë në Shqipëri

Qeveria e Turqisë po bën të gjitha përpjekjet për të inkurajuar investitorët turq të vijnë të investojnë në Shqipëri. Këtë i bëri dje të ditur Kryeministri turk z. Reçep Taip Erdogan, Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, gjatë takimit që zhvilloi dje në Stamboll. Të dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy qeverive dhe dy vendeve tona. Kryeministri Erdogan i rikonfirmoi edhe një herë Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të qeverisë turke dhe të vendit të tij për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha e njohu homologun turk me reformat e gjithanshme të qeverisë shqiptare, duke u ndalur në veçanti në arritjet e rëndësishme për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe mbështetjen e tyre përmes projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si parqet industriale etj. Kryeministri Berisha falënderoi mikun e tij, z. Erdogan, për inkurajimin që ai dhe qeveria e tij u kanë bërë investitorëve turq për të ardhur në Shqipëri dhe theksoi se investitorët turq po konfirmohen si shumë të suksesshëm në tregun shqiptar. Ai theksoi gjithashtu se investimet direkte turke kanë shënuar gjatë këtyre viteve të fundit një shifër rekord prej 860 milionë eurosh nga 135 milionë euro që kanë qenë në 2005-ën. Dy kryeministrat rikonfirmuan gatishmërinë dhe angazhimin e tyre personal, si dhe të qeverive të tyre për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat që t’i përgjigjet nivelit jashtëzakonisht të lartë të miqësisë tradicionale mes dy popujve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›