E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Konsolidim institucioneve të pavarura

Presidenti Bamir Topi informon ministrin e Jashtëm të Republikës së Çekisë, z. Karel Shvarcenberg, për reformat kryesore në vend, kryesisht atë gjyqësore dhe zgjedhore. Topi gjatë takimit të djeshëm me kryediplomatin cek, vuri theksin në kryerjen e reformës në drejtësi për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe ruajtjen e konsolidimin e pavarësisë së institucioneve. Presidenti Topi dhe ministri i Jashtëm çek ndanë të njëjtën pikëpamje për sa i përket situatës në rajon, duke vlerësuar njëkohësisht edhe rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon për paqen dhe qëndrueshmërinë e tij afatgjatë. Shvarcenberg vuri në pah mbështetjen e pakursyer të Çekisë për realizimin e aspiratave integruese të Shqipërisë si në NATO, ashtu edhe në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo e ardhme është e sigurt pas kryerjes me sukses të reformave të brendshme, veçanërisht të asaj në sistemin e drejtësisë, luftës pa kompromis kundër korrupsionit dhe përmbushjes së standardeve integruese.

Çekia vlerëson reformat e qeverisë “Berisha”

Çekia vlerëson reformat e qeverisë “Berisha” si një progres drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe NATO. Kryeministri Berisha priti dje ministrin e Jashtëm të Çekisë, z. Karel Shvarcenberg. Të dy personalitetet vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve dhe inkurajuan zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Ministri i Jashtëm çek shprehu mbështetjen e Çekisë për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Zoti Shvarcenberg theksoi se Çekia mbetet e angazhuar të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj integruese, duke u bazuar në rezultatet e shkëlqyera të reformave në vend. Ministri i Jashtëm çek u shpreh se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor do të jetë ndër prioritetet e Presidencës çeke të BE-së. “Nuk mund të flitet për Bashkimin Evropian pa integrimin e Ballkanit Perëndimor në të”, - u shpreh z. Shvarcenberg, duke nënvizuar se kjo është në interes jo vetëm të rajonit, por edhe të Evropës. Në këtë drejtim, z. Shvarcenberg tha se Shqipëria është në rrugën e duhur, për shkak të suksesit të dukshëm të reformave. Arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare janë një shembull i qeverisjes së mirë. Kryeministri Berisha theksoi se integrimi evropian mbështetet nga 95 për qind e shqiptarëve dhe se qeveria shqiptare po bën të gjitha përpjekjet për të përmbushur standardet e duhura në këtë drejtim, si pasaportat biometrike, kartat e identitetit, kontrollin e integruar të kufijve etj. Kryeministri Berisha e njohur zotin Shvarcenberg me zhvillimet dhe progresit të vendit në këto 3 vjet. Shqipëria ka vuajtur nga pasojat e krimit të organizuar dhe për këtë, qeveria shpalli luftë me zero tolerancë ndaj këtij fenomeni. “Si rezultat i këtyre përpjekjeve, - u shpreh Kryeministri, - në tre vjet Shqipëria u shndërrua në një vend të sigurt dhe ajo tashmë ka indeksin më të ulët të kriminalitetit në Evropë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›