Zjarr në Kalanë e Gjirokastrës, digjet kurora e gjelbërt

Kurora e gjelbër e Kështjellës së Gjirokastrës është përfshirë mbrëmjen e sotme nga flakët. Zjarri ka rënë në orën 17:30 minuta dhe i favorizuar nga era, është përhapur me shpejtësi në të dy anët e kështjellës. Si vatër e zjarrit është përcaktuar hyrja e tunelit që lidh pjesën muzeale të Pazarit Karakteristik, me lagjen “Manalat”.
Nisur nga mënyra e shpërthimit të flakëve të zjarrit, gjykohet se ai është vendosur qëllimisht nga kalimtarë që shfrytëzojnë këtë rrugë kalimi, pasi zjarri është vendosur në të dy anët e tunelit. Kanë qenë punonjësit e PMNZSH dhe strukturat e Policisë Bashkiake ato që kanë ndërhyrë në mënyrë të rrufeshme duke vendosur nën kontroll përhapjen e mëtejshme të tij.
Gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, një grup turistësh nga Izraeli, kanë qëndruar në pritje dhe vetëm pasi zjarri është vënë nën kontroll, vijuan vizitën në ambjentet e kalasë.
Në pjesën e pasme të kalasë, janë angazhuar qytetarë të lagjes “Manalat”. Kjo është hera e dytë brenda vitit, që bie zjarr në kalanë e Gjirokastrës pas atij të rënë në muajin shkurt, ku një zjarr aksidental dogji një pjesë të brendshme të zonës.