E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Mos dëgjoni kollagjerët e krizës”

11/05/2010 Kryeministri hedh poshtë pretendimet për krizë ekonomike

Sipas tij, qeveria ka vendosur rritjen e rrogave dhe të pensioneve

Kryeministri Sali Berisha është i bindur se Shqipëria nuk është bërë pjesë e krizës së rëndë ekonomiko-financiare që preku të gjithë botën. Edhe pse ka pohuar disa herë se vendi ka përjetuar pasoja të krizës, shefi i ekzekutivit ka kërkuar që të gjithë ta vlerësojnë gjendjen në mënyrë objektive. Gjatë ceremonisë së përurimit të shkollës 9-vjeçare “Isa Domi” të komunës Xhafzotaj, Berisha i ka etiketuar përfaqësuesit e opozitës “kollagjerët e krizës”, të cilët kanë deklaruar shpeshherë se vendi është në krizë të thellë ekonomike. “T’u thuash shqiptarëve se sot ka 800 mijë të papunë, në një kohë që sot ka pothuajse 800 mijë rroga shtetërore dhe private, u tregon përralla me mbret. T’u thuash shqiptarëve se sot po përjetohet kriza, është e njëjta gjë. Zotërinj, bota po përjeton një nga krizat më të mëdha që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, ndërsa Shqipëria, jo se e themi ne, por e thotë gjithë bota, nuk po e përjeton këtë krizë”, - ka deklaruar ai. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, Berisha ka theksuar se eksportet shqiptare janë dyfishuar gjatë kohëve të fundit dhe të ardhurat janë rritur ndjeshëm. Kreu i qeverisë, duke hedhur poshtë pretendimet e artikuluara nga zyrtarë të opozitës, tha se numri i bizneseve të regjistruara gjatë katër muajve të parë të këtij viti është rritur me 40 për qind. Gjithashtu ai kujtoi edhe vendimin e qeverisë për rritjen e rrogave dhe të pensioneve. “Thirrja ime është: lërini mënjanë gjyzlykët e kuq! Lërini mënjanë dhe shihni Shqipërinë! Nuk them se Shqipëria është parajsa, është shumë larg; nuk them se s’ka varfëri, se varfëri ka; nuk them se s’ka papunësi, se papunësi ka, por ajo ka ritme zhvillimi më të larta se çdo vend tjetër, ka shpresë dhe optimizëm më të madh se çdo vend tjetër”, - ka deklaruar shefi i ekzekutivit. Ai ka theksuar se Shqipëria evropiane është para së gjithash Shqipëria e qytetarëve të lirë, të cilët kanë dhe do të kenë çdo të drejtë Kushtetuese të garantuar.

Vizat

Kryeministri Berisha ka thënë dje se brenda pak muajve shqiptarët do të mund të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së. “Shumë shpejt, në muajt që vijnë, për qytetarët e vendit më të izoluar të botës, për qytetarët e vendit që njëzet vjet më parë ishte i rrethuar me tela me gjemba nga të katër anët e kufijve të tij, do të hiqen vizat dhe ata do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën”, - ka deklaruar kreu i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›