E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimi i krimeve të komunizmit e drejtë themelore

11/05/2010 “Dënimi i krimeve, integrimi pa kushte, pozicionimi i merituar i tyre në historinë dhe realitetin e vendit janë elemente të rikthimit të ligjshmërisë, jo si favor, por si një e drejtë themelore, pa të cilën demokracia nuk do të ishte e plotë”, - kështu u shpreh Presidenti Bamir Topi në ceremoninë e mbajtur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar për përurimin e fotoekspozitës së shkrimtarëve dhe poetëve të vrarë nga diktatura (1944–1991), të titulluar “Letërsia e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave”. Në fjalën e tij kreu i shtetit kërkoi që dogmat e së djeshmes të zëvendësohen nga objektiviteti shkencor. “Harresa është manipulim, ndaj kundër saj duhen sa më shumë botime të kësaj letërsie, botime dokumentesh e tekstesh profesionale, sa më shumë ekspozita dhe albume tematike, e pse jo edhe muzeume të kujtesës”, - kërkoi Topi. Mes pjesëmarrësve, familjarë e miq të viktimave të diktaturës komuniste, në shenjë nderimi për kontributin e tyre, Presidenti Topi dekoroi me urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) avokat Myzafer Pipën me motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri”; poetët Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela me motivacionin: “Për qëndresën dhe papajtueshmërinë e paepur me sistemin e diktaturës komuniste, për dashurinë për fjalën e lirë deri në flijim”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›