E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mos votoni për Ramën, është një mburracak

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, vijoi turin elektoral dje në Mamurras, Mat, Ishëm, Sukth dhe gjatë mbrëmjes takoi banorët e Tiranës në Fushën e Aviacionit. Përpos mesazhit për të votuar numrin 10 më 28 qershor, kreu i PD-së u kërkoi qytetarëve të aplikojnë dhe të tërheqin kartat e identitetit për të votuar të dielën e fundit të qershorit. Për dhjetë ditët e fundit të fushatës, PD-ja ka zgjedhur si strategji që paradite të bëjë fushatë në rrethe dhe gjatë mbrëmjes të "ndezë" Tiranën me mitingje. Kryeministri Berisha ishte dje në mbrëmje pranë Fushës së Aviacionit në Tiranë ku u premtoi banorëve të kryeqytetit se në vitin e parë të mandatit të dytë të PD-së, shqiptarët do të lëvizin pa viza në të gjithë Europën. "Takohemi sot, në këtë shesh pasi me mundin, djersën e përkushtimin tonë, ia kemi dalë të ndryshojmë Shqipërinë, ia kemi dalë ta bëjmë atë vend aplikant për anëtare në BE", tha ai. "Do të financojmë çdo projekt të Bashkisë së Mamurrasit për të rritur në nivele më të larta jetesën e qytetarëve të tij", ishte premtimi i Kryeministrit Berisha në Mamurras. Kreu i qeverisë premtoi se pas pak kohësh fillon rindërtimi i rrugës Fushë-Krujë-Mamurras-Milot. "Në buxhetin e shtetit janë vendosur 2 miliardë lekë për rindërtimin e plotë të saj, sikundër do të asfaltojmë rrugët e të gjitha fshatrave të kësaj bashkie, do i lidhim ato me qendrat e komunës", tha Berisha. Kreu i PD-së sulmon nga Mati, kreun e PS-së. "Socialistë të Matit, ju bëj thirrje që të mos jepni asnjë votë për Edi Ramën, sepse Edi Rama, ky burracak nuk ia mbajti të dalë në shesh, nuk ia mbajti të dalë në krye të listës tuaj dhe u fut nën tavolinën e kryetarit të Bashkisë", tha Berisha. Sipas tij, "Rama e bëri këtë, sepse nuk ka pikën e respektit për ju, e bëri këtë, sepse ai nuk ka interes tjetër, përveç lejeve të ndërtimit, ai e bëri këtë se ju ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij, të cilët i ka sekserë të lejeve të ndërtimit, ndaj bashkohuni me ne në projektin europian". Nga Ishmi, kreu i qeverisë theksoi se "Vota juaj për Sali Berishën, vota juaj për ndryshimin e Shqipërisë, është votë për pensionet tuaja, për rrogat tuaja, për bizneset tuaja, për shkollat e fëmijëve tuaja, është votë për Matin Europian, është votë për Shqipërinë Europiane, është votë për ju, për fëmijët tuaj, për familjen tuaj, për të ardhmen".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›