Berisha: NATO, parzmore e së ardhmes sonë
“Qytetare dhe qytetarë të Tiranës,
vëllezër dhe motra,
zonja dhe zotërinj,
Sot, ne festojmë së bashku në ketë shesh 4 prillin, ditën e parë të anëtarësimit tonë në NATO; ditën e bardhë, ditën më të madhe për ne, për Shqipërinë, që nga pavarësia e saj.
Gëzuar ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO!
Më 4 prill, ju qytetarët shqiptarë, me përfaqësuesit tuaj më të lartë kaluat së bashku me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me Presidentin e Francës, Nikolas Sarkozy, Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel dhe të gjithë udhëheqësit e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Urën e Evropës; urën që bashkon Këlnin me Strasburgun, urën që bashkon Francën me Gjermaninë, urën që simbolizon më shumë se çdo gjë tjetër shpirtin dhe vizionin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Dje, ju dhe përfaqësuesit tuaj më të lartë, u ulën për herë të parë në historinë e këtij kombi në Samitin e Strasburgut si të barabartë me liderët e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Prandaj sot, urimi im për ju, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, por edhe për shqiptarët kudo që janë sot, është: Gëzuar ditën e madhe të krenarisë kombëtare, ditën e bardhë të mrekullisë së lirisë!
Zoti e bekoftë NATO-n!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Anëtarësimi në NATO shënon për ne sigurinë e lirive tona, shënon arritjen më të madhe për liritë tona, të fëmijë tanë dhe të gjeneratave që vijnë. Ky anëtarësim shënon fundin e një udhëtimi shekullor; epik në qëndresë, legjendë në dhimbje, sakrifica dhe vuajtjesh më të mëdha se të çdo kombi tjetër. Ky anëtarësim shënon një fillim të ri të ndritur, në të cilin shqiptarët do të kenë NATO-n mburojë të lirive të tyre, epokë në të cilën ata do të mund të ndërtojnë të lirë, të ardhmen e munguar dhe të ardhmen që meritojnë. Që nga kjo ditë ne, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, do të kemi NATO-n, Aleancën më të fuqishme të të gjitha kohërave, si parzmore të së ardhmes sonë.
Qytetare dhe qytetarë të Tiranës, qytetare dhe qytetarë shqiptarë kudo që jeni,
Në dekada, por edhe në shekuj, pa praninë tuaj dhe pa praninë tonë, u morën qindra e mijëra vendime për sigurinë, për fatin, për territoret dhe për identitetin tonë. Që nga 4 prilli e tutje, për ne dhe për vendin tonë, liritë dhe fatin tonë, siguritë tona dhe të Shqipërisë, do të vendosim ne si të barabartë mes të barabartëve me aleatët më të fuqishme të tokës.
Me anëtarësimin në NATO, kombi ynë, ne qytetarët shqiptarë dhe vetë Shqipëria, fitoi një emër, fitoi nder dhe dinjitet të ri, duke lënë pas kujtimin e hidhur. S’do mbahemi më mend si kombi i pushtimeve të gjata, diktaturave dhe historive më të egra, eksodeve, skamjes dhe mjerimit, por si kombi i NATO-s, kombi i së ardhmes, kombi i lirisë, kombi i dinjitetit.
Qytetare dhe qytetarë shqiptarë;
Sot, për ne dhe për të gjithë shqiptarët është dita e mirë njohjes tonë të madhe dhe të pafundme, para së gjithash për ata qindra e mijëra shqiptarë që ranë për lirinë dhe dinjitetin tonë në të gjitha kohërat. Ranë ata - mbijetuam ne, ranë ata – jemi të lirë ne; i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.
Sot, në emrin tuaj, dua t’u shpreh mirënjohjen më të pakufishme dhe nderimin më të madh aleatëve tanë, miqve tanë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Unë ju bëj thirrje nga ky shesh, ku së bashku 17 vjet me pare kremtuam fitoren e demokracisë, që të ndalemi për një moment dhe të kujtojmë se si: sheshi “Skënderbej” dhe rrugët e Tiranës, sheshet e qyteteve tona dhe rrugët e Shqipërisë ishin të mbushura si kurrë ndonjëherë me gëzim dhe entuziazëm. Por, në rrezet shkëlqimtare të diellit të ditës së parë të pranverës sonë të demokracisë rrëzëllenin së bashku me to skamja dhe mjerimi i jashtëzakonshëm, rrëzëllenin bunkerët, ky simbol i shëmtuar i së shkuarës, izolimit dhe shtypjes sonë.
Sot, 17 vjet më pas ne mblidhemi sërish në këtë shesh, por kësaj radhe mblidhemi si një vend që 17 vjet më parë ishin jo dekada, por vite drite larg NATO-s, ndërsa sot ne jemi anëtarë të saj. Kjo u bë e mundur sepse në këtë periudhë ne njohëm dhe provuam solidaritetin, bujarinë dhe mbështetjen më të madhe të të gjitha kohërave.
Vëllezër dhe motra,
Në këto 17 vjet, asnjë komb nuk ka pasur mbështetjen që kemi pasur ne nga vendet e lira. I shprehim atyre mirënjohjen tonë të thellë. Bujaria dhe ndihma e tyre u shndërrua në një levë Arkimedi për ne, për t’u mbledhur sot në këtë shesh si anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Një mirënjohje të pakufishme le t’i shprehim sot së bashku mikut tonë më të madh, kombit të madh amerikan, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit, Senatit, Kongresit, taksapaguesve të këtij vendi. Një mirënjohje të pakufishme le t’i shprehim sot edhe miqve më të shquar të kombit shqiptar, Presidentit George W. Bush, qeverisë së atij që themeloi në Tiranë Kartën “Adriatik 3”dhe që do të sillte ne 12 qershor të vitit 2007 misionin historik; “Shqipëria në NATO!”, që sot është realitet.
Mirënjohje të thellë e të pakufishme dua ti adresoj në emrin tuaj Presidentit Barack Obama, i cili përshëndeti me ndjenjat më miqësore anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ai vlerësoi si të jashtëzakonshme reformat që ne bëmë për të anëtarësuar vendin në NATO. I shpreh mirënjohje të thellë dhe të pakufishme Aleancës së Atlantikut të Veriut, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, për mbështetjen e madhe. Të gjithë këto vende mike, këta burra të mëdhenj, liderë të kombeve aleate dhe anëtare të NATO-s, bënë që ne shqiptarët të shndërrojmë në realitet njërën prej dy ëndrrave më të mëdha kombëtare, njërin prej projekteve më të mëdha të historisë sonë; anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Së bashku, le t’i sigurojmë ata se këtë mbështetje të madhe dhe këtë besim të jashtëzakonshëm që vendosën mbi ne, do ta shndërrojmë në një energji të pashtershme, në një vendosmëri të palëkundur për të ndërtuar dhe konsoliduar në këtë vend vlerat dhe parimet e mëdha, mbi të cilat NATO është ndërtuar, qëndron dhe vepron.
Le t’i garantojmë ata se me reformat e mëdha dhe të gjithanshme, ne shqiptarët do t’i përgjigjemi me besnikëri të madhe të gjitha kërkesave të Aleancës, do marrim pjesë në të gjithë misionet e saj civile dhe ushtarake, të çdo lloj. Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të 28 qershorit me qëllimin për të zhvilluar zgjedhje të lira të ndershme. Ne do të shkojmë të sigurt drejt projektit të dytë të madh historik kombëtar; integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë.
Rroftë Shqipëria!
Zoti ju bekoftë ju, fëmijët tuaj, fëmijët e fëmijëve tuaj dhe gjeneratat që do vijnë!
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha gjatë koncertit festiv në sheshin “Skënderbej”, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO