Rrethi vicioz dhe injeksionet e samitit të Londrës
Nga Gjon KEKA*
Takimi i Liderëve Botëror në samitin e Londrës ishte një përpjekje për të dalë nga rrethi vicioz që kanë hyrë vendet e prekura nga kriza globale. Në këtë samit, në mënyrë të kujdesshme pati zëra të arsyeshëm të cilët kishin për qëllim që kjo përpjekje të mos dalë e kotë por të përshpejtohet mënyra e daljes nga kjo gjendje e rënduar që ka kapur tërë globin, po ashtu pati edhe zëra të dyshimtë që tregonin një qasje skeptike dhe jo realiste për ta nxjerrë botën nga ky mjerim dhe depresion i madh ekonomik.
Në përgjithësi mënyra e qasjes së vendeve për të rregulluar një mori problemesh që nga ajo ekonomike e deri te ajo sociale e të sigurisë nuk treguan një seriozitet të duhur për t'i thënë lamtumirë varfërisë, pasigurisë, frikës nga armatimet vdekjeprurëse etj. Prandaj, duke shikuar në prizmin e realizmit dhe duke parë se gjërat në botë po marrin kahjen e ndryshimeve të mëdha për të keq, liderët botërorë do të duhej që në mënyrë të ndërgjegjshme të ndalin fryrjen e gjërave që çojnë botën drejt shkatërrimit dhe humbjes së dinjitetit të saj moral dhe njerëzor.
Sepse sot pika më e rëndësishme, më mirë me thënë pika më neuralgjike në botë, është ekonomia, siguria dhe sociabiliteti si dhe rikthimi i njeriut frymëror tek e vërteta të cilën e kanë braktisur nga materializmi i dhjamosjes se botës. Qëllimi i njerëzimit nuk është të ecë i dyshimtë në rrugën e tij drejtë progresit dhe arritjeve historike, por një qëllim që çon njeriun drejt fisnikërisë dhe zhvillimeve pozitive duke mos lënë anash përpjekje për ekzistencë reale, por jo duke harruar ndërgjegjen dhe arsyen e cila e ka bazën në të vërtetën. Ky depresion i madh ekonomik që ka kapluar botën, po shkakton pengesa të shumta duke bërë kështu që shumë firma dhe biznese të falimentojnë dhe shumë punëtorë të humbin vendin e tyre të punës dhe kështu të vihet në dilemë ekzistenca e tyre reale e mbijetesës dhe mirëqenia e përgjithshme e shteteve që ballafaqohen me këto probleme.
Prandaj në këtë samit, një kujdes të veçantë do duhej t'i kushtohej tregjeve të tyre dhe bizneseve si dhe mënyrës së daljes nga kjo krizë duke ndërmarrë një front të përbashkët të të gjitha vendeve, ashtu që dalja nga kjo gjendje të përshpejtohet dhe mënyra e normalizimit të gjendjes të vijë sa më shpejt që është e mundur.
Liderët në këtë samit do duhej që të ishin të njëzëshëm për të menduar rreth kësaj krize dhe të gjithë do duhej që, të bashkuar, ta çonin botën drejt proceseve të zhvillimeve pozitive dhe të një bote që do ta ndiente veten më të sigurt e jo duke parë për çdo ditë se si po i bie boja kësaj kohe moderne e cila po e gllabëron kriza pak nga pak.
Kjo krizë që nga pas-Lufta e Dytë Botërore është një ndër krizat më të mëdha që po ballafaqohet bota në përgjithësi, ky depresion i madh nuk i ngjason asnjë periudhe tjetër përveç asaj të quajtur periudhë moderne, siç dimë nga historia në kohën e para-Luftës së Dytë Botërore gjatë viteve të ‘20 dhe ‘40 bota kishte rënë në gjumë të thellë të hipnozës së ideologjive, vendet po merrnin ngjyrën e rënies së ndërgjegjes dhe moralit politik, ndërsa ushqimi i vetëm që posedonte bota në mesin e kësaj periudha ishte ideologjia dhe doktrina të cilat çonin në një gjendje të mjegullt dhe në një rrënim të tërë sistemeve demokratike pozitive dhe të zhvillimeve të gjithëmbarshme në botë.
Gjithashtu, as nuk i përngjan periudhës së pasluftës dhe Recesionit të Madh disamujor që bartte mbi vete gjatë periudhës së viteve ’70 dhe ‘80 SHBA dhe kështu kjo krizë e tanishme po tregohet më e egër dhe me e rëndë për nga mënyra e zgjidhjes dhe nga mënyra e gjetjes së një rruge të përbashkët të vendeve të botës në përgjithësi.
Të gjitha vendet duhet që mos të lënë që gjetjet dhe mundësitë e daljes nga ky rreth vicioz të lihen në harresë historike por assesi edhe mënyrat dhe qasjet e përbashkëta për t'i dalë ballë kësaj të keqeje globale të bëhen në mënyrë të kujdesshme, sepse do ketë konsekuenca të pariparueshme dhe bota do e rrezikonte ekzistencën e saj të plotë.
Gjërat që po shkaktojnë komplikime të theksuara në ekonomitë globale janë edhe zhytja e vendeve në projekte të paplanifikuara dhe në bursa që në një mënyrë apo tjetër po bëhen pjesë e pandashme e problemit dhe të krizës së gjithëmbarshme ekonomike.
Duke ditur se me trilionë dollarë janë humbur si rezultat i kësaj krize dhe problemeve që po bartin bizneset dhe tregjet ndërkombëtare, prandaj do duhet që në mënyrë të kujdesshme dhe me një qasje më të sinqertë e serioze ta kthejnë këtë krizë në një stabilitet dhe në një zhvillim pozitiv në mbarë globin duke hequr qafe pengesat dhe mënyrën e qasjes negative të problemeve ekonomike, sociale, të sigurisë etj., etj. të vendeve të prekura.
Ndërsa duke pasur një qasje më pozitive dhe duke shikuar rrugë të ndryshme për ta zgjidhur këtë problem global, do mund që besimi i humbur i bizneseve të rikthehet në qëllimin e tij zhvillimor dhe se këto shenja të rikthimit të normalitet do të shkaktonin procese pozitive dhe do mund t'ia kthenin vendeve që janë prekur nga kriza besimin dhe rrjedhat më të mira të zhvillimit të tregjeve dhe bizneseve ndërkombëtare në përgjithësi dhe të një angazhimi të të gjithave vendeve, ngase kështu, duke rritur besimin, duke shpëtuar bizneset dhe tregjet do mund të kalonin më lehtë rrethin vicioz të këtij depresioni ekonomik.
Përndryshe as injeksione as përkrahja e vogël e vetëm disave vendeve nuk do mund të ringjallë ekonomitë dhe vendet që i ka prekur kriza globale ekonomike. Gjithashtu, as 1.1 trilion dollarësh nuk mund t'ia kthejë fytyrën e vërtetë të ekonomisë dhe vendeve që kanë pësuar nga ky recesion, sepse duhet që në mënyrë ambicioze dhe përfundimtare të kthejnë ekuilibrin dhe stabilitetin ekonomikë shteteve të prekur në përgjithësi nga kjo krizë e rëndë.
Dhe krejt në fund, liderët botërorë duhet që të kërkojnë fusha të rëndësishme veprimi të përbashkët për të ripërtërirë dhe ringjallur ekonominë globale të vendeve të prekura, gjithashtu duhet luftuar seriozisht kundër këtij recesioni global në mënyrë të qartë dhe pa asnjë dilemë, pastaj duhen marrë masa rigoroze për të parandaluar thellimin e krizës, masa të tjera të fuqishme proteksioniste që çojnë në vënien në zbatim nga ana e faktorit ndërkombëtar (Organizata Ndërkombëtare e Tregtisë, FMN, Banka Botërore, Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim si dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë).
Duke u nisur nga kjo mund të thuhet se tërë aktorët e samitit të vendeve të G20-s në Londër arritën që vetëm t'i vënë vetes disa rregulla dhe masa, por jo edhe të zgjedhin një rrugë që çon në zgjidhje të tërësishme të kësaj krize, duke kthyer zhgënjimin në inkurajim dhe dobësinë në forcë të përbashkët për një stabilitet të qëndrueshëm të ekonomive të prekura thellë nga kjo krizë, sepse në këtë samit nuk u arrit ndonjë marrëveshje përfundimtare, por një marrëveshje e përkohshme mbështetëse, por jo zgjidhje të plotë dhe në mënyrë serioze të këtij problemi global, prandaj me injeksione nuk ringjallen ekonomitë, por me veprime konkrete dhe të përshpejtuara.
*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare