E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, alternativa e vetme elektorale e opozitës



Përpara disa ditësh duket se mediat elektronike dhe shtypi i shkruar shpërndanë lajmin se pjesë e paketës ligjore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë edhe kodi i etikës. Sigurisht ky është një lajm i mirë, por lajmi i keq është se opozita ka një kuptim krejt të kundërt të termave që quhen moral, etikë, ndershmëri etj.

Kështu, dy javë më parë, duke përcjellë aktivitetet për përkujtimin e tragjedisë së Gërdecit, m’u duk se më së shumti, meraku i organizatorëve nuk ishte aspak ngushëllimi për humbjet e jetëve të njerëzve e përkujdesja për ta.

Përkundrazi, m’u krijua përshtypja se politika “e re” e së majtës është kapur fort pas disa fatkeqësive njerëzore, në mënyrë që t’i përdorë ato për t’i ngritur nga gropa e amoralitetit ku ka rënë. Është e turpshme dhe krejt antidemokratike teksa përjetojmë çdo ditë, një terror psikologjik që u bëhet shqiptarëve në emër të politikës “së re”, përtej së majtës e së djathtës, e cila hamendësohet si politika hibride e Edi Ramës.

Flakët e barutit transmetohen si dielli i shpresës

Në politikë, natyrisht që ka qëllime, synime, objektiva, por kur, pavarësisht nga qëllimi i shpallur, kur imazhin e një shpërthimi të frikshëm flakësh e baruti në Gërdec e transmeton si të ishte lindja e diellit të shpresës për Shqipërinë, atëherë s’mbeten fjalë për t’u thënë veçse: ky është një turp i paskrupull.

E gjithë kjo farsë përvëluese është shprehje e pakontrolluar e ngutit të papërmbajtur të opozitës, duke shfrytëzuar edhe shkallë arkivolesh, me qëllimin e vetëm ngjitjen në ballkonin e pushtetit qendror politik të vendit.

Sa më shumë që Shqipëria bëhet evropiane dhe pjesë integrale e qytetërimit të civilizuar, aq më turp të vjen të të identifikojnë me histerizmin e primitivizmin e treguar nga opozita e Edi Ramës, e atyre që i rrinë pranë, në vend të politikave zhvilluese për Shqipërinë.

Në këtë prag fushate elektorale mungojnë politikat zhvillimore të opozitës, mungojnë angazhimet serioze për të çuar vendin përpara. Por kjo opozitë siç shihet, nga mëngjesi në darkë ka tjetër mendje, ajo tani është nisur vrullshëm t’i sulet si korbat e zinj pushtetit të zgjedhur me votë, sikur po u sulet pushtuesve.

Ministrat, qeveritarët, zyrtarët e shtetit paraqiten në imazhin e kësaj opozite sikur të ishin gardianë të kampeve të përqendrimit. Theksoj se të metat dhe dobësitë e drejtimit administrativ, gabimet njerëzore ose edhe shpërdorimet e detyrës, në disa raste zmadhohen me qindrafish dhe paraqiten si njolla të zeza të historisë kombëtare.

Ndoshta nuk ka opozitë tjetër në vendet që quhen demokratike, që të mos shprehin një fjalë të mirë për arritjet e ecurinë e vendit të tyre, kjo ndodh vetëm në Shqipëri, ku opozita me gojën e saj shpreh vetëm mallkime për qeverisjen e vendit.

Anëtarësimi në NATO, meritë e të gjithëve

Edhe suksesin e madh historik të pranimit të Shqipërisë në NATO, që është pa dyshim meritë e të gjithëve. Ata nuk shprehen hapur për këtë eveniment, por me metodat e tyre meskine, janë gati të njollosin me kraterin e Gërdecit e të mos thonë një fjalë të mirë, vetëm e vetëm se ky Kryeministër firmosi aktin final të kësaj arritjeje madhore mbarëkombëtare.

E vërteta historike është se Sali Berisha ka qenë politikani dhe zyrtari i parë, që në shtator të vitit 1992, kërkoi zyrtarisht pranimin e Shqipërisë në NATO. Kjo është meritë e tij, e cila sot u bë realitet, prandaj ai meriton të vlerësohet për largpamësinë në këtë arritje madhore për kombin shqiptar. Sot jemi krenarë për kurorëzimin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s me të drejta të plota.

Të shohim ç’do të thonë në ditët në vijim? Të shohim se çfarë tabloje tjetër të errët do të servirin në vend të tablosë së gëzimit popullor?

Mazhoranca: Prokuroria të hetojë

Ndonëse organi i hetimit ka dërguar në gjykatë rreth 30 veta për ngjarjen e Gërdecit, opozita dhe disa media ende nuk është e kënaqur. Megjithëse ish-ministri i Mbrojtjes, së bashku me 3-4 nëpunës të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes e 3-4 gjeneralë të Shtabit të Përgjithshëm, janë përballë Gjykatës së Lartë, përsëri opozita flet kundra qeverisë, për mbulim të fajit.

As unë e askush tjetër, nuk mund të shpallim fajtor as z. Mediu dhe as nëpunësit e tjerë të pandehur. Unë po, juridikisht i konsideroj ata thjesht në dispozicion të drejtësisë për t’u mbrojtur, ata vetë nga akuzat e ngritura.

Me këtë veprim, pavarësisht prapavijës politike të opozitës dhe të kundërshtarëve të tjerë të demokracisë; mazhoranca tha: Prokuroria të hetojë, të ngrejë pandehma, të gjejë fakte dhe të shkojë në gjykatë.

Ndonëse ne e dimë si drita e diellit se Gërdecin opozita e përdor si kalë beteje për të përfituar pushtetin politik, ndërsa qeveria asnjëherë nuk u është kundërvënë veprimeve procedurale të organit të akuzës.

Por, në qoftë se prapa këtij mllefi fshihet diçka tjetër, nëse për ju qëllimi justifikon çdo mjet, në qoftë se ju kërkoni dhe dëshironi të dërgoni prapa hekurave tërë mazhorancën qeverisëse dhe lidershipin e Partisë Demokratike, atëherë kjo flet qartë se ju kërkoni monopartizimin në këtë vend.

Në një shtet demokratik dhe ku qytetarët nuk janë gjinde pa shkollë e qenie, pa shpirt, njerëzit duhen të lihen të jenë të lirë në perceptimin e realitetit. Askush nuk ka të drejtë as të shpikë heronj e as të shpallë kriminelë dhe as të luajnë me arkivole të njerëzve të pafajshëm.

Ajo që mazhoranca kishte në dorë ishte që t’i hapte rrugë drejtësisë dhe kjo gjë ndodhi, edhe pse segmente të caktuara të drejtësisë mund të bëjnë lojën e tjetërkujt. Ne kemi besim se politika antikorrupsion e ndjekur nga kjo mazhorancë dhe qeveria e z. Berisha, as ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë gjatë mandatit të dytë të qeverisjes.

Korrupsioni nuk luftohet me demagogji politike

Korrupsioni nuk luftohet me demagogji politike e aq më keq kur bëhet nga përbindëshat e korrupsionit të rrëzuar nga pushteti prej popullit në 2005-n me votën e lirë. Delijorgji, tani personazhi VIP i Gërdecit, ka marrë prej Edi Ramës 30 leje ndërtimi pallatesh tek ish-Parku, vetëm në një ditë 4 prej tyre, pra leje ndërtimi.

Nuk kemi dëgjuar deri tani asnjë fjalë nga Edi Rama për Delijorgjin as për krimin e tij në Gërdec, as për 30 pallatet që vazhdon të ndërtojë, as për aferat, pisllëqet e bëra me mijëra gryka zjarri artilerie, me qindra tanke e armatime të tjera të demontuara prej tij me qeveritë e PS-së.

Kjo e keqe e madhe, korrupsioni; luftohet me masa efektive ligjore, me reformë e tolerancë zero ndaj të korruptuarve; kjo luftë e vërtetë po bëhet dita-ditës nga qeveria. Prandaj numri i zyrtarëve të dhënë organeve të drejtësisë për shkelje të ligjeve, duke shkaktuar dëme shtetit dhe popullit është rritur.

Nëse dikush luftën kundër korrupsionit e kupton si një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve ose për më keq si luftë të opozitës për të denigruar qeverisjen, për të nxirë gjithçka të bërë mirë deri tani, atëherë nuk flitet më për ndershmëri.

Zhurma keqdashëse e opozitës

Shumë zhurmë keqdashëse për përfitime politike po bëhet këto ditë për kartat elektronike. Një herë ngrihet zëri i opozitës: ulni çmimet e kartës. Kur qeveria i ul çmimet, herën tjetër tellallët kërkojnë: jepni falas dhe kur për disa kategori jepen falas, atëherë shprehen se pasaportat nuk do bëhen. Kjo është realisht një lojë çorientuese, por dhe një thirrje indirekte e opozitës për popullin që të mos aplikojë për pasaportat biometrike.

Ky kryetar partie e bashkie që kërkon kartat falas, ka krijuar për 2009-n në Tiranë, një taksë të re për makinat me targat e rretheve, gjithashtu ka rritur nga 2007-a, 25%-40% taksat e pastrimit, mjedisit, taksat e gjelbërimit etj.

Prandaj, Edi Rama, i cili ka filluar t’i paragjykojë qysh tani zgjedhjet e qershorit, ndonëse flet përditë me njerëzit, nuk e kemi parë t’u bëjë thirrje qytetarëve për të aplikuar për kartat elektronike, sepse edhe vetë ai nuk e ka dhënë këtë shembull për të bërë këtë aplikim.

Atëherë u mbetet zgjedhësve shqiptarë, që tashmë të ngopur me demagogjinë e së majtës, të thonë fjalën e tyre edhe një herë, siç e thanë edhe në vitin 2005.

Edhe një herë u bëj apel kolegëve të opozitës, që proceset e zakonshme gjyqësore, siç është dhe rasti i Gërdecit, të mos i proklamojnë si gjyqet speciale kundër armiqve të popullit në vitet e pasçlirimit. Politika që po ngrihet mbi viktima, nuk ka emër tjetër veçse politikë e viktimizuar që kërkon viktima të reja.

*Deputet i PD-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›