Gjirokastër, punonjësit e policisë dhe gardës rrihen mes tyre
Punonjësit e policisë janë përleshur me njëri-tjetrin në një postbllok në rrugë, pas kërkesës së njërës palë për të kontrolluar dokumentet e një shtetasi. Bashkë me të kanë qenë edhe dy persona të tjerë, njëri efektiv në policinë e Qarkut në Gjirokastër dhe tjetri në Gardën e Republikës. Në fillim midis punonjësve të postbllokut dhe palës tjetër ka pasur debate, të cilat më pas kanë çuar në përplasjen fizike. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Gjirokastrës, në vendin e quajtur Ura e Leklit në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, nga ana e punonjësve të policisë, të cilët kryenin shërbim në postbllokun, i përbërë nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe të Komisariatit të Policisë Tepelenë, është ushtruar kontroll në automjetin tip BMW, me targa Gj 84 20 A, me drejtues mjeti shtetasin Qëndrim Çela, lindur dhe banues në fshatin Krahës të rrethit Tepelenë. Nga ana e punonjësve të policisë i është kërkuar të paraqesë dokumentacionin përkatës të automjetit, por ky shtetas nuk ka pranuar duke kundërshtuar me fjalë punonjësit e policisë, pasi ka qenë në gjendje të dehur. Ndërkohë, në postbllokun e policisë ka ardhur punonjësi i policisë, shtetasi Blerim Mëhilli, lindur dhe banues në Gjirokastër, me detyrë punonjës policie në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, së bashku me shtetasin Evis Mërtiri, lindur dhe banues në fshatin Krahës të Rrethit Tepelenë, me detyrë punonjës policie në Gardën e Republikës, të cilët kanë debatuar me punonjësit e postbllokut të policisë, për arsyen e ndalimit të shtetasit të lartpërmendur, pasi edhe këta shtetas kanë qenë në gjendje të dehur. Më pas, sipas burimeve zyrtare policore, debati ka degjeneruar, pasi shtetasit Mërtiri dhe Mëhilli kanë goditur me grushte në fytyrë njërin prej punonjësve të policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër, i cili kryente shërbim në postbllokun e policisë. Forcat e policisë në postbllok kanë ndërhyrë për të normalizuar gjendjen dhe shoqërimin e personave për në komisariat, por shtetasi Evis Mërtiri dhe Qëndrim Çela janë larguar me shpejtësi në drejtim të Tepelenës. Nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër janë marrë masa të menjëhershme për këtë ngjarje, duke pezulluar nga detyra punonjësin e policisë, Blerim Mëhilli dhe nisjen e proceduarave disiplinore ndaj tij, si dhe vazhdon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë, të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka nisur veprimet ligjore në lidhje me këtë ngjarjen. Ndaj efektivit Blerim Mëhilli, me detyrë punonjës policie në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, së bashku me shtetasin Evis Mërtiri, me detyrë punonjës policie në Gardën e Republikës, janë nisur materialet në drejtim të prokurorisë së rrethit për kryerjen e veprës penale të “goditjes për shkak të detyrës”.