E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis historia moderne e Shqipërisë



Nga Dr. Arian Starova

Më 4 prill, në nisje të punimeve të Mbledhjes së Nivelit të Lartë të NATO-s në Strasburg e Këln kjo ngjarje madhore u kremtua zyrtarisht në çastin kur Presidenti amerikan, zoti Barack Obama, i jep Presidentit shqiptar, zotit Bamir Topi, dokumentin e Traktatit të Uashingtonit.

Me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO fillon një faqe e re në historinë moderne të Shqipërisë. Më në fund, pas përpjekjesh shumëshekullore të elitave politike të shqiptarëve për pavarësi shtetërore, pas thuajse një shekulli luhatjesh gjeopolitike si shtet i pavarur, Shqipëria bëhet pjesëtare e bashkësisë së shteteve demokratikë të hapësirës gjeopolitike euroatlantike. Me anëtarësimin e saj në NATO, Shqipëria rrit në mënyrë cilësore fuqinë e saj si shtet, duke krijuar horizonte të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare në dobi të zhvillimit të saj. Madhështia historike e këtij anëtarësimi është në thelb e dyfishtë, sepse nga njëra anë, Shqipëria por edhe shqiptarët si komb u vlerësuan e u pranuan si pjesë e qytetërimit euroatlantik të mbështetur mbi vlera të përbashkëta të organizimit shtetëror demokratik dhe, nga ana tjetër, Shqipëria u bë më e sigurt jo si çdo lloj shteti, por si shtet demokratik dhe për një të ardhme afatgjatë. Këtej e tutje për sigurinë e Shqipërisë e të shqiptarëve dhe të shtetit të tyre demokratik do të mendojnë e veprojnë një bashkësi e përbërë nga 28 shtete demokratikë e ndoshta më shumë në të ardhmen.

Rëndësia e këtij anëtarësimi është e shumëfishtë. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO krijon një mjedis më të sigurt për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, përshpejton përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, rrit përgjegjësinë e elitës politike të Shqipërisë për zhvillimin e vendit, rrit fuqinë e ndikimit të Shqipërisë në rajon dhe përtej tij si aktor politik që është pjesë e vendimmarrjeve të rëndësishme të politikës ndërkombëtare, përbën mbështetje për Republikën e re të Kosovës, e bën më të sigurt të gjithë rajonin e Ballkanit, i shërben NATO-s për të kryer me sukses rolin e saj të ri në mbrojtje të sigurisë euroatlantike e ndërkombëtare.

Mendoj se është e rëndësishme të theksoj fort në këtë deklaratë për shtyp se Shqipëria e ka merituar plotësisht anëtarësimin në NATO, si fryt i përpjekjeve të të gjithë aktorëve të politikës shqiptare në gjithë këto vite në demokraci, si fryt i përpjekjeve të ushtarakëve shqiptarë për reformimin dhe aftësimin e ushtrisë shqiptare në përmbushje të rolit të saj të ri brenda vendit dhe në misionet ndërkombëtarë të NATO-s dhe si fryt i një mbështetjeje shumë të gjerë popullore. Në fjalën e tij të djeshme, Presidenti amerikan, zoti Barack Obama dhe udhëheqës të tjerë të vendeve anëtare të NATO-s shprehën vlerësimin e tyre të lartë pikërisht për reformat e mëdha të kryera nga Shqipëria, si merita të anëtarësimit të saj në NATO.

Është e natyrshme që, si President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, të shpreh sot mirënjohje për mbështetjen e përhershme, që qytetarët shqiptarë dhanë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për Forcat e Armatosura të Shqipërisë të cilat, me sakrifica të shumta, janë shndërruar në pjesë e respektuar e NATO-s kudo që kanë dhënë ndihmën e tyre për sigurinë euroatlantike ose ndërkombëtare, për elitën politike të Shqipërisë, e cila ka qenë përherë e bashkuar për arritjen e synimit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për qeverinë e tanishme dhe Kryeministrin Berisha të cilët e përshpejtuan dhe e përmbyllën me sukses këtë anëtarësim.

Më lejoni të shpreh mirënjohjen time më të lartë, gjithashtu, për të gjithë vendet anëtarë të NATO-s dhe në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuar të Amerikës për ndihmën e pakursyer e të përhershme që i dhanë vendit tim për anëtarësimin në NATO.

Mirënjohje e falënderime të shumta dëshiroj t’u shpreh NATO-s e Sekretarit të saj të Përgjithshëm, zotit Jaap de Hoop Scheffer, dhe Presidentëve amerikanë, zotërinjve George W. Bush dhe Barack Obama për përkrahjen e shumëfishtë të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO.

Në fund, por jo për nga rëndësia do të doja të falënderoj të gjithë anëtarët e Këshillit Atlantik të Shqipërisë që në 15 vjet që nga themelimi i kësaj organizate kanë punuar për informimin e publikut shqiptar mbi NATO-n, rolin e saj në dobi të sigurisë ndërkombëtare dhe integrimin e Shqipërisë në NATO. Pas anëtarësimit në NATO, puna e Këshillit Atlantik të Shqipërisë bëhet më e rëndësishme dhe më e madhe.

Duke e mbyllur këtë përshëndetje, do të doja të përsëris propozimin tim në fjalën e mbajtur në Kuvend me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për të shpallur me ligj njërën prej ditëve të para të prillit 2009 si “Ditë e NATO-s”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›