E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nafta e ARMO-s, në treg me çmimin e bursës

Kreu i qeverisë ka mbyllur një herë e mirë kapitullin e heqjes nga tregu të naftës D2 të importit, duke deklaruar se i qëndron qëllimit primar në drejtim të mbrojtjes së mjedisit. Duke folur në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, Berisha hodhi poshtë pretendimet e opozitës për "krijim të monopolit, duke lejuar vetëm ARMO-n të shesë naftë D2 në treg". Ndërkaq, po dje nuk kanë munguar reagimet e vazhdueshme nga ana e Shoqatës së Hidrokarbureve, të cilat shprehen kundër vendimit të qeverisë. Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha garantoi furnizim normal të tregut me naftë D2, jo vetëm nga ARMO, por edhe nga kompanitë e tjera, të cilat mund ta blejnë naftën me çmimin e bursës.

Qëndrimi

Sipas kreut të qeverisë, "pretendimet e opozitës dhe të kujtdo tjetër se ne kemi vendosur apo po pranojmë monopolin e naftës D2 janë absolutisht të pabazuara". Berisha tha dje se qeveria e ka ndaluar ARMO-n që e prodhon naftën, ta shesë vetë në treg, por të jetë e detyruar t‘ua shesë me çmimin e bursës të gjitha kompanive të tjera tregtare të naftës, sipas përqindjes që ato zënë në treg. Duke folur për shkaqet e këtij vendimi, kreu i qeverisë nuk mohoi ndalimin e importit të naftës D2, duke sqaruar se është bërë në interesin e qytetarëve shqiptarë. Po ashtu, nga data 1 janar e vitit 2010 nuk do të ketë më naftë D2 në qarkullim. Vendimi i qeverisë ndalon rreth 240 mijë tonë import të naftës D2, e cila zinte më shumë peshë se sa nafta D1. "Shqiptarët nuk kanë pse të dënohen me squfur. Shqipëria sot, ndonëse nuk ka dalë nga problemet, nuk është kurrë ajo që ka qenë më parë. Prandaj ne kemi marrë një vendim shumë të drejtë. Kemi bërë një diferencim midis prodhimit vendas dhe atij të importit, por këtë e kemi bërë sepse çdo shtet, në një mënyrë apo tjetër, përpiqet të nxisë prodhimin vendas", tha Kryeministri. Qeveria e drejtuar nga demokratët kishte premtuar dy vjet më parë se do të hiqte nga qarkullimi naftën diezel, e cila ndot ambientin disa herë më shumë se eurodiezeli D1, por qëllimi nuk u realizua i plotë. Berisha gjeti rastin të sulmonte edhe opozitën, e cila ka dalë në krah të importuesve. "Ata që dalin e mbrojnë naftën D2, në vend që të duartrokasin qeverinë për vendimin, bëjnë të kundërtën. Ne kemi zhdukur monopolin dhe nuk jemi dakord të ndotet mjedisi", tha Berisha.

Arsyet

Për ministrin e Ekonomisë dhe Tregtisë, Genc Ruli, lejimi i tregtimit të naftës D2 vetëm nga ARMO për një vit është bërë duke u nisur nga disa kushte. E para, sipas Rulit, lidhet me industrinë e ARMO-s, e cila ka të punësuar mbi 6 mijë punonjës. "Nëse kësaj industrie, e cila u shoqërua për një vit me procese të vazhdueshme privatizimi dhe remontesh, do t‘ia ndërpresësh prodhimin e naftës D2, kjo do të thotë ndryshe falimentim për të. Tjetër shkak lidhet me investimin që kërkon të bëjë kompania, e cila kërkon kohë për faktin se teknologjia aktuale është tepër e vjetruar", tha ministri Ruli.

Plan për të rritur

akcizën e naftës

Nuk është vendosur ende, por qeveria po planifikon të rrisë akcizën për naftën. Aktualisht, niveli i akcizës që paguhet në doganë për naftën D1 dhe D2 është 75 për qind mbi sasinë e importuar, por jo më shumë se 37 lekë për litër dhe jo më pak se 13 lekë për litër. Plani është që naftës eurodiezel t‘i fiksohet niveli me 37 lekë, pavarësisht sasisë që do të importohet, ndërsa D2-it me 47 lekë për litër. Sikundër është bërë e ditur, qeveria ka ndaluar vetëm naftën D2 të importit që përdoret për automjetet dhe gjeneratorët. Duhet thënë se D2 përdoret pasivisht nga mjetet bujqësore dhe sektori i peshkimit. Sa i takon benzinës, niveli parashikohet të jetë i pandryshuar, 37 lekë/litri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›