E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për planifikimin e territorit nuk zgjidh problemet

Drafti i ligjit për planifikimin e territorit i prezantuar së fundmi nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit sërish ka provokuar polemika mes drejtuesve të qeverisë qendrore dhe asaj vendore. Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, gjatë një forumi të organizuar dje ka analizuar ligjin për "planifikimin e territorit", që sipas tij është plotësuar tërësisht nga ana juridike dhe mangësia e tij e vetme është se nuk mund të ndikojë në përgjegjshmërinë njerëzore. Gjithashtu, ministri Olldashi shtoi për ekspertët e ndryshëm të pranishëm në forumin për diskutimin e ligjit të ri të zhvillimit të territorit se zbatimi dhe funksionimi i këtij ligji mund të bëhet me anë të bashkëpunimit me institucionet dhe sidomos me pushtetin vendor apo bashkinë. Por nga ana tjetër, përfaqësuesja e bashkisë prezente në këtë forum, Majlinda Dupa, nuk ka ngurruar aspak që të rreshtojë kritikat e saj kundër këtij ligji të ri për planifikimin e territorit. Ajo ka theksuar faktin se procesi i hartimit të planit për rregullimin e territorit nuk ka qenë transparent dhe përveç kësaj edhe pse janë dashur rreth pesë vjet, për hartimin e ligjit, ka thënë ajo më tej, ende nuk dihet nëse arrin të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin për administrimin e territorit. Të pranishëm kanë qenë edhe studentë shqiptarë, të cilët diskutuan mbi këtë projektligj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›