E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiu përmbyt përsëri rrugët e shkatërruara të Durrësit

Kthimi i reshjeve të shiut përmbyt rrugët problematike të Durrësit. Rruga në veri të qytetit bregdetar dhe ajo në juglindje të tij përkatësisht në Spitallë dhe Shkozet, por edhe shumë rrugë të tjera ku asfalti nuk duket gjëkundi janë shndërruar në një shqetësim të madh për drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët që kalojnë në to. Rrugët përmbyten dhe gropat ndonjëherë bëhen të padukshme duke rrezikuar mjetet dhe kalimtarët. Ndërkohë, pak ditë më parë ndërtimorët e Durrësit nisën një aksion për të liruar hapësirat publike të zaptuara padrejtësisht që janë kthyer në pengesë për investimet në infrastrukturë. Disa nga rrugët më të rrënuara në Durrës këtë vit elektoral janë premtuar të rikonstruktohen nga bashkia. Rruga pranë nënstacionit elektrik të Shkozetit dhe një tjetër rrugë në Plazh janë të parat e planifikuara për investime, rikonstruksion në vlerën e 22,2 milionë lekëve të reja. Investimi përfshin përveç asfaltimit edhe infrastrukturën nëntokësore, ndriçimin, sistemimin dhe gjelbërimin. Ndërkohë, shumë rrugë të tjera janë në gjendje të mjerueshme, madje dhe ato në të cilat janë kryer rikonstruksione vitet e fundit. Pothuajse çdo gjashtë muaj, investime për riparim kërkon rruga tregtare në qytet, gjë që flet për cilësinë e dobët të punimeve. Në bashki bëjnë të ditur se për këtë vit do të rikonstruktohen dhe disa rrugë në lagjet 1 dhe 2 të qytetit, si dhe në zonën e Spitallës me një vlerë 26.6 milionë lekë. Për këtë vit është planifikuar që 50 për qind e buxhetit të bashkisë të shkojë për investime në infrastrukturë, po të gjithë shpresojnë që viti elektoral të mos ndëshkojë me investime shkel e shko që kërkojnë të tjera fonde një vit më pas, ashtu siç ka ndodhur rëndom me procedurat e prokurimit dhe zbatimit të projekteve për rehabilitim infrastrukture. Ndërkaq, në vitin 2008 janë mbyllur gjashtë investime në infrastrukturë, ndërsa kanë nisur 7 të tjera që pritet të përfundojnë brenda këtij viti. Sipas burimeve nga bashkia, vitin e kaluar janë përdorur 234 milionë lekë nga buxheti i pavarur i bashkisë për rrugë e lulishte.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›