E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ndihma e donatorëve do përdoret me eficensë



Paratë që donatorët japin për zhvillimin e projekteve të ndryshme do të përdoren me eficensë nga qeveria shqiptare. Kryeministri i Shqipërisë ka garantuar dje përfaqësuesit e rreth 200 institucioneve ndërkombëtare financiare se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje që ndihma dhe solidariteti i donatorëve të përdoret në mënyrën më eficente. Kreu i qeverisë e bëri këtë deklaratë në konferencën dyditore me temë “Koordinimi i donatorëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, organizuar nga qeveria shqiptare dhe Komisioni Evropian. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, z. Michael Leigh, tha në këtë konferencë se KE do të mbështesë vendet e rajonit ku bën pjesë edhe qeveria, me donacione në këtë kohë krizë, me qëllim që ajo të përballohet si një sfidë. Të pranishëm në këtë konferencë ishin drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, z. Michael Leigh, ambasadorja e Çekisë në Shqipëri, zonja Marketa Fialkova, si përfaqësuese e vendit kryesues të Bashkimit Evropian, ambasadori i Delegacionit të KE-së në Shqipëri, z. Helmuth Lohan, zëvendëskryeministri z. Genc Pollo, ministra të kabinetit qeveritar etj. Kjo tryezë mbledh gjithashtu rreth 200 përfaqësues të institucioneve financiare, shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, donatorë jashtë vendeve të BE-së dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia. Kryeministri Berisha tha se konferenca me donatorët është një rast shumë i veçantë për t’u shprehur atyre mirënjohjen më të thellë, falënderimet më të përzemërta për bujarinë që ata kanë dëshmuar dhe ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Kryeministri vlerësoi se bashkëpunimi rajonal ka një rëndësi të jashtëzakonshme. “Ne synojmë të bashkohemi dhe të integrohemi plotësisht në Bashkimin Evropian dhe proceset integruese kanë qenë dhe mbeten motivi udhëheqës i politikave tona, i përpjekjeve tona për një të ardhme më të mirë të kombeve dhe vendeve tona”, - tha Kryeministri. Duke vënë në dukje faktin se konferenca mblidhet në një moment stuhie botërore në rrafshin financiar dhe ekonomik, Kryeministri theksoi se ky takim merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe mbarë rajonin, pasi jo vetëm ofron ndihmën bujare të donatorëve, por fton vendet e rajonit të bëjnë çdo përpjekje për një përballje rajonale të parandalimit apo minimizimit të pasojave të kësaj krize. Më tej, Kryeministri bëri një paraqitje të reformave të ndërmarra nga qeveria, veçanërisht në krijimin e një klime të favorshme për biznesin dhe tërheqjen e donacioneve të huaja, duke u shprehur se kryesore ka qenë dhe mbetet lufta kundër korrupsionit, privatizimet e korporatave të mëdha, reforma në sistemin e taksave dhe tatimeve, vendosja e prokurimeve elektronike etj. “Rezultatet e Shqipërisë unë i konsideroj inkurajuese. Ju bëj me dije se bazuar në luftën kundër korrupsionit, në këto katër vite, buxheti i qeverisë sime ka pasur së paku 4.5 miliardë dollarë më shumë sesa në vitet pararendëse”, - nënvizoi Kryeministri. Kryeministri theksoi se një ndër prioritetet e qeverisë, në drejtim të investimeve dhe orientimit të donacioneve, është arsimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm rural. “Arsimi është dhe do të mbetet prioriteti i parë. Ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin dhe duhet të ecim më tej në këtë rrugë. Por, do të mirëprisja çdo ndihmë nga vendet tuaja, në mënyrë që arsimi i vendit tim të arrinte nivele dhe standarde që do të ndihmonin Shqipërinë dhe do të shpejtonin zhvillimin e saj”, - vijoi Kryeministri. Gjithashtu, Kryeministri tha se fokusi tjetër i prioriteteve është zhvillimi i qëndrueshëm rural. “Ne po përpiqemi dhe po investojmë shumë në këtë drejtim, por vlerësojmë shumë edhe ndihmën e vendeve tuaja, në mënyrë që zonat tona rurale të kapërcejnë atë prapambetje të madhe që kanë trashëguar dhe të mund të gëzojnë edhe ato infrastrukturën dhe shërbimet që meritojnë”, - tha Kryeministri. Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje që ndihma, bujaria dhe solidariteti i donatorëve të përdoret në mënyrën më eficente për qytetarët shqiptarë. Gjithashtu, Kryeministri tërhoqi vëmendjen se vendimtare për shfrytëzimin e donacioneve dhe përdorimin e përgjegjshëm të tyre, mbetet koordinimi më i mirë dhe adresimi i tyre në projekte prioritare. Qëllimi i konferencës dyditore mbi “koordinimin e donatorëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, është evidentimi i progresit të bërë në përmirësimin e koordinimit të donatorëve, shkëmbimin e përvojave më të mira, adresimin e mangësive që mbeten dhe dhënien e rekomandimeve praktike lidhur me përmirësimin e mëtejshëm të koordinimit të donatorëve.

BOX

KE: Fondet e donatorëve të përdoren me kujdes në kohë krize

Bashkimi Evropian ka miratuar tashmë një paketë financiare për të mbështetur vendet anëtare të tij, për të përballuar krizën globale. Por BE nuk do të lërë pas dore vendet e rajonit dhe do t’u vijë në ndihmë me donacione për të përballur efektet e krizës globale që mund të prekin këto vende. Në konferencën e donatorëve që zhvillohet për dy ditë në Tiranë, drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, z. Michael Leigh, ka garantuar se KE do i mbështesë në këtë situatë të vështirë, por nga ana tjetër ka kërkuar që fondet të përdoren me kujdes. Nga ana e tij, ambasadori i Delegacionit të KE-së në Tiranë, z. Lohan, vlerësoi organizimin e kësaj konference në Tiranë dhe theksoi se të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe donatorët mbështesin Shqipërinë në fushën e zhvillimit dhe integrimit. Në këtë kohë të krizës globale ekonomike, - tha ai, - është normale që çdo asistencë dhe ndihmë e donatorëve të mirëmendohet, ndaj është shumë i nevojshëm koordinimi sa më i mirë i aktiviteteve të donatorëve. Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, z. Michael Leigh, duke falënderuar palën shqiptare për kontributin në organizimin e kësaj konference, shprehu përgëzimet e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe e vlerësoi këtë si një hap themelor në progresin e vendit. Gjithashtu, ai vlerësoi dhe ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Zoti Leigh theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj konference me donatorët në këtë periudhë të krizës botërore ekonomike, duke u shprehur se për të pasur sukses, duhen përballuar sfidat që dalin nga kjo krizë. Në Bashkimin Evropian, - tha ai, - ka tashmë një paketë për t’iu përgjigjur kësaj krize që merr në konsideratë vendet aktuale anëtare, si dhe gatishmërinë për t’u ardhur në ndihmë vendeve partnere të rajonit, që ato t’ia dalin mbanë në këtë sfidë. Kjo paketë do të mobilizojë 150 milionë euro, në kuadrin e IPA-s, instrumentit të paraaderimit, më vonë do të jenë edhe 600 milionë euro të tjera nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›