E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eva Gavani, emocionalisht në “Amina”



Është e rrallë të shohim sot se si nxitet një grua të shkruajë në letërsi. Kurioziteti më i madh është frymëzimi, jeta dhe emocionet e saj. Nëse do ta provokonte realitetin shqiptar pa menduar se ku jeton, tregimtarja Eva Gavani nuk do të shkruante ndoshta thjesht një libër me tregime, siç është “Amina” që sapo ka hedhur në treg, botimet “Toena”. Por Gavani, bën të kundërtën duke hyrë brenda këtij sistemi gjinor, brenda këtij realiteti për të na dhënë një strukturë origjinale të rrëfimit, siç është libri i saj i frymëzuar nga jeta. Amina na fut në një realitet shpirtëror. Kur kjo merr trajtën e pasqyrimit prej gjenezës femërore, për Gavanin idealja nuk është aspak një ëndërr.

Ajo mpreh logjikën për ta depërtuar lexuesin në një hapësirë të pazotëruar më parë, qoftë prej vetë shkrimtares, ashtu dhe të një imagjinate sensibël që ofrohet nga tregimet. Emocionalisht “Amina” do të përkthehej Anima, e lidhur me shpirtin njerëzor, me botën, me jetën. Amina është gruaja e mbushur me energji në gjithë qenien e saj. “Amina” është një udhëtim shpirtëror në botën e gruas, në të cilën ndërthuren karaktere të largëta në hapësirë dhe kohë, por që i bashkon forca e dinjitetit njerëzor. Amina është figura e gruas në dritëhijet e jetës, herë e ndritshme, herë e turbullt, e prekshme dhe fluide, e tunduar nga mëkatet dhe e sunduar nga ideale sublime. Amina është një grua, një vajzë, një nënë, një figurë mbresëlënëse, e parë edhe në përshkrime e kujtime mashkullore. Është një njeri i zakonshëm që në vetvete mbart mesazhe të mëdha. Kjo e bën “Aminën” që në çdo tregim të sjellë të veçantën brenda të zakonshmes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›