E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtia me pakicë, rriten shitjet në vitin 2008



Ndonëse qytetarët shprehen se kanë reduktuar blerjet, duke nisur nga fundi i vitit 2008, treguesit mbi indeksin e shitjeve në tregtinë me pakicë të publikuar nga INSTAT tregojnë të kundërtën. Në 3-mujorin e katërt të vitit 2008, të dhënat tregojnë se ka pasur një rritje të shitjeve me pakicë për sa u përket produkteve ushqimore, karburanteve, si tregtia dhe riparimi i karburanteve. Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e katërt të 2008 arriti 184.4 për qind, kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 20.1 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 2.5 për qind. Rritja e këtij indeksi ka ardhur si rezultat i disa sektorëve të ekonomisë. Kështu, në grupin “Artikuj të përzier, kryesisht ushqimore, në njësi tregtare jo të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 1.7 për qind në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 24 për qind, krahasuar me tremujorin paraardhës, ku brenda këtij grupi rritjen më të madhe e ka shënuar “Tregtia me pakicë e karburanteve”, ku indeksi i volumit të shitjeve për tremujorin e katërt është rritur 23.2 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. Indeksi i punësimit në “Tregtinë me pakicë” në tremujorin e katërt të këtij viti arriti 174.5 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky indeks është rritur 19 për qind. Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve” indeksi i punësimit arriti 159.6 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100) me rritje 3.3 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

“Albtelecom”: Ofertat dhe surprizat për klientët nuk rreshtin

“Albtelecom” sjell oferta të reja për klientët e tij. Paketave ekonomike për shërbimin e internetit u shtohen dhe dy ofertat më të fundit për të gjitha thirrjet ndaj operatorëve celularë, si dhe thirrjeve ndërkombëtare drejt Italisë, Greqisë, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për të gjitha thirrjet drejt operatorëve të tjerë celularë, “Albtelecom” sjell ofertë të re, duke ulur ndjeshëm tarifat. Për thirrjet drejt operatorëve celularë, tashmë çdokush do të ketë mundësi të përfitojë nga oferta dhe të flasë me tarifa shumë herë më të leverdishme. Tjetër surprizë për klientët e “Albtelecom” është dhe oferta për thirrjet ndërkombëtare me disa prej vendeve. Klientët e “Albtelecom” do të flasin më gjatë me të afërmit e tyre në Itali, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, duke paguar vetëm 16.22 lekë për minutë. Dy ofertat e reja të hedhura në treg, do të jenë në interes të publikut. Klientët do të kenë mundësi të flasin më gjatë me të afërmit e tyre duke paguar më pak. Gjiganti i telefonisë fikse, nga data 1 deri më 15 prill 2009, do të aplikojë larmi ofertash për abonimet e reja për numra të telefonisë fikse, ndërsa investimet në zgjerimin e rrjetit dhe përmirësimin e cilësisë në të gjithë vendin vazhdojnë. Gjithashtu, përgjatë gjithë muajit prill, në treg do të vazhdojë të jetë oferta “Dy muaj internet dhe tarifa e instalimit falas”. Duke u abonuar në të gjitha pikat e shitjes së “Abtelecom”, brenda një kohe shumë të shkurtër çdokush do të ketë në shtëpinë e tij internet të shpejtë, të sigurt dhe me cilësi maksimale. Abonentët do të kenë internet 24 orë në 24 dhe për dy muaj të harrojë shpenzimet e faturave. Për t’u ardhur në ndihmë klientëve, të gjitha sportelet e “Albtelecom” dhe pikat e shitjes do të jenë të hapura në 7 ditët e javës nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes.

Zjarr në nënstacion, gjysma e kryeqytetit në errësirë

Si pasojë e një zjarri të rënë dje në orët e para të mëngjesit është përfshirë nga flaket Nënstacioni i Uzinës së Traktorëve. Burime nga OSSH-ja bënë me dije dje se ndonëse ende mbeten të paqarta shkaqet teknike të rënies së këtij zjarri, dëmet kanë qenë të konsiderueshme. Pas shuarjes së zjarrit është konstatuar se janë dëmtuar rëndë disa fidera të linjave 20 KV dhe 6 KV, si dhe janë bllokuar nga bloza panelet kryesore të këtyre linjave. Si pasojë e kësaj avarie të rëndë mbetën pa energji: Shkoza, Uzina Traktori, “Rruga Budi”, Qyteti Studenti. Porcelani, Sanatoriumi, “Ali Demi”, Lundra e Farka. Të gjitha brigadat e punës së OSSH kanë punuar që prej mëngjesit të djeshëm në vendngjarje dhe kanë punuar intensivisht e pa ndërprerje për riparimin e defekteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›