Berisha: Ndryshe nga Rama, s’kam menduar ti marr të gjitha për vete
TIRANË- Ashtu si edhe dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha ka nënvizuar sërish edhe para anëtarëve të kabinetit qeveritar, se është në interesin e mirë të forcave politike që të zhvillojnë një fushatë të civilizuar larg akteve të dhunës. "Sot, shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje të gjithë forcave politike, mbështetësve, simpatizantëve, qytetarëve shqiptarë, që në këtë fushatë të zgjedhjeve së qeveritarëve vendorë, të japin kontributin e tyre duke shmangur çdo akt dhune, çdo akt teprimi dhe duke bërë që dialogu, meditimi rreth kandidatëve, projekteve të tyre, të predominojë. Fushata zgjedhore është një moment në të cilin çdo qytetar ka mundësi të japë një kontribut thelbësor, në konsolidimin e demokracisë në vendin e tij”, - tha dje Berisha në mbledhjen e qeverisë. Kryeministri theksoi se “Aleanca për Qytetarin” është e angazhuar në një fushatë të bazuar në vlerat qytetare, e cila duhet të ketë në themel, një dialog intensiv me komunitetin dhe qytetarët. “Në këtë kontekst, ftoj edhe njëherë të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e kësaj aleance, t’i përmbahen me rigorozitetin më të madh frymës, moralit të kësaj fushate, sikundër i bëj thirrje dhe kundërshtarëve tanë, që t’u japin mundësi qytetarëve të vlerësojnë garën e kandidatëve dhe alternativave dhe të lënë mënjanë pasionin për fjalë kazani. Është në interesin më të mirë të gjitha forcave politike, një fushatë e civilizuar. Këto zgjedhje kanë një rëndësi shumë të madhe sepse do të zgjidhen qeveritarët vendorë, qeveritë direkte dhe parlamentet direkte te qytetarëve shqiptarë”, - tha Berisha. Kryeministri ka kujtuar gjithashtu se këto zgjedhje kanë rëndësi edhe për integrimin e Shqipërisë në BE. “Duhet të faktojmë përkushtimin tonë total, konstant për një proces zgjedhor të standardeve ndërkombëtare, i cili ka një kusht më themelor zbatimin e ligjit zgjedhor, zbatimin në frymë dhe në germë të ligjit zgjedhor dhe ligjeve të tjera, që kanë të bëjnë me problematikën e zgjedhjeve”, - tha ai. Në këtë drejtim, Berisha shtoi se, është bërë hap para në këto zgjedhje me ligjin e financimit të partive politike, në pastrimin e dublikatave në lista si dhe në parandalimin e përdorimit të burimeve financiare të administratës. “I kërkoj opozitës t’i përmbahet me rigorozitet në interesin më të mirë shmangies së çdo burimi financiar apo tjetër në funksion të fushatës, të mos harrojë se në këto zgjedhje shumice nuk është mazhoranca qeverisëse, shumicë është opozita në qytetet e mëdha të vendit dhe ajo ka një mundësi të dëshmojë një qëndrim ndryshe, për sa i përket përdorimeve të burimit të pushtetit për fushatë elektorale”, - tha ai. Berisha përgëzoi edhe punën e mirë, siç u shpreh ai, të policisë lidhur me trajtimin profesional të të gjitha rasteve. “Çdo qytetar i këtij vendi, çdo anëtar dhe mbështetës i mazhorancës, duhet ta ketë të ngulitur në mendje, dhe unë jam i bindur se e kanë, se kërkesa e parë dhe themelore për të gjithë ata, të cilët i besojnë votës së lirë, është zgjedhje brenda standardeve ndërkombëtare, pasi me zgjedhjet të tilla fiton gjithë Shqipëria, pastaj me rezultatet e tyre janë qytetarët shqiptarë ata që do të zgjedhin kandidatët më të mirë dhe unë kam besim se ne ia u kemi ofruar, pavarësisht se z. Rama ka vendosur të më shpallë mua kryetar bashkie në të 9 qytete që qeveris Partia Socialiste, paçka se unë nuk kam bërë qoftë edhe një ditë të vetme për kryetar bashkie, në një zonë, sepse e konsideroj si etike, për të lënë hapësirë sepse nuk kam menduar kurrë ti marr për vete të gjitha, por ajo është zgjedhja e tij dhe për këtë le ta vlerësojnë qytetarët”, - tha ai.