LSI në Ersekë: Jemi pjesë e koalicionit fitues të 8 majit
TIRANË- Zhaneta Prifti është kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për Bashkinë e Ersekës, e cila u prezantua dje nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Duke shpalosur disa nga pikat e programit të saj, znj.Prifti theksoi nevojën e investimeve që duhen bërë për këtë qytet, përmes projekteve konkrete. “Varfëria është kërcënuesja kryesore e familjes dhe komunitetit tonë. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë prioritete të luftës sonë. Do mposhtim varfërinë me investime dhe punësim. Qëllimi i programit tonë është kalimi nga faza e mbijetesës, në atë të mirëqenies. Bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë shqiptare, rritja e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve, do të dëshmojmë hapje, kompetencë, seriozitet dhe vetëbesim”, - u shpreh Prifti. Ndërsa nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, shprehu optimizmin se LSI-ja bën pjesë në koalicionin e fitores në zgjedhjet e 8 majit. “Ajo synon me të gjithë forcën e saj, me një synim të vetëm, që ajo më 8 maj të jetë fituese, të jetë menaxhere e qytetit të Ersekës. Ajo përfaqëson axhendën e koalicionit për integrim, axhendë e cila konsiston në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë, axhendë e cila konsiston në rritjen e eksporteve shqiptare, në zhvillimin e gjithanshëm social, është një axhendë që e çon Shqipërinë më afër Europës, është një axhendë që i çon shqiptarët pa viza në Europë. Ky është koalicioni që mbështet kandidaten tonë në Ersekë”, - tha dje Haxhinasto.