E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ndryshim do të thotë votë për PD-në



Kryeministri Sali Berisha u bëri dje thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që me 28 qershor të votojnë për rimandatimin e PD-së si forca politike që u garanton të ardhmen evropiane. Sipas Berishës, vetëm në këtë mënyrë mund t’u jepet jetë projekteve që PD-ja ka nisur në vitin 2005 dhe që do t’i përmbushë për katër vitet e ardhshme. Berisha apeloi se ndryshim do të thotë votë për PD-në. Kryeministri Sali Berisha u rikthye dje në qarkun e Durrësit në kuadër të “Shqipëria po ndryshon” me premtimin se gjatë mandatit të ri qeverisës do t’i japë varfërisë goditjen më të pamëshirshme. Berisha përuroi dje fillimin e punimeve për rindërtimin e rrugës Spitallë - Porto Romano, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 220 milionë lekë. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë segment rrugor jetik, pasi lidh Durrësin me Porto Romanon, me parkun industrial dhe energjitik. Në takimin me qytetarët, Kryeministri Berisha siguroi se në 4 vitet e mandatit të dytë, në qendër të vëmendjes sërish do të jetë jeta dhe problemet e qytetarëve. “Punësimi dhe lufta kundër varfërisë, - tha Kryeministri, - do të jenë ndër objektivat madhorë të qeverisë”. Por ai kërkoi votat e shqiptarëve për një fitore të re të së djathtës më 28 qershor. "Të rendim pas çdo vote, t’i kërkojmë votën çdo qytetari shqiptar që beson se anëtarësimi në NATO është ndryshim, se dyfishimi i pensioneve në fshat është ndryshim, se ndërtimi i rrugëve në mbarë Shqipërinë është ndryshim, se shtrirja e internetit në të gjitha shkollat e Shqipërisë është ndryshim, se aplikimi i Shqipërisë për statusin e kandidatit është ndryshim”, - deklaroi z. Berisha. Të gjithë ata që pohojnë këtë ndryshim, Kryeministri i ftoi që të votojnë për PD-në. Berisha deklaroi më tej se shqiptarët në këto kohë po përballen me dy alternativa. Sipas tij, ajo e reformave dhe rezultateve të pamohueshme të tyre dhe tjetra, alternativa e nihilizmit, e mohimit të çdo gjëje, prandaj sipas shefit të qeverisë, u mbetet në dorë qytetarëve që të bëjnë zgjedhjen e duhur në 28 qershor. Berisha përmendi se lufta kundër varfërisë është një objektiv tjetër madhor. "Në 4 vjet, ne nxorëm nga varfëria 200 mijë shqiptarë. Vetëm gjatë muajit maj, me dyfishimin e pensioneve në fshat, ne bëjmë që edhe 180 mijë qytetarë të tjerë, ndër të cilët 170 mijë në fshat dhe mbi 10 mijë pensionistë me pensione të ndryshme në qytet, të marrin mbi 2 dollarë në ditë, pra, të dalin nga varfëria. Kështu, në 4 vite, ne së bashku, nxorëm nga kthetrat e varfërisë rreth 400 mijë shqiptarë", - tha Kryeministri Berisha. Gjatë përurimit të rindërtimit të rrugës Spitallë - Porto Romano, në periferi të qytetit bregdetar të Durrësit, kreu i qeverisë e konsideroi këtë segment rrugor jetik, pasi lidh Durrësin me Porto Romanon, me parkun industrial dhe energjitik. "Shqipëria me infrastrukturë moderne, Shqipëria me rrugë të reja, Shqipëria me ujësjellës dhe kanalizime, Shqipëria me energji 24 orë janë zotimet tona", - tha kreu i ekzekutivit shqiptar, duke garantuar: "Në 4 vitet e mandatit të dytë, do të sjellim ujin e pijshëm brenda shtëpisë së çdo shqiptari". “Këto 4 vite, - vuri në duke z. Berisha, - ne zotohemi të shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në rajon dhe më gjerë, të rindërtojmë apo ndërtojmë nga e para çdo shkollë të vjetër në Shqipëri, të vazhdojmë me shpejtësi rritjen e pagave dhe të pensioneve tuaja".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›