MSA, Brukseli diskuton perspektivën shqiptare
Brukseli diskuton perspektivën shqiptare në dy takimet e para të nënkomitetit BE-Shqipëri, strukturë e re e ngritur me hyrjen në fuqi të MSA-së. Ministria e Integrimit njoftoi dje, se gjatë këtij takimi u diskutua për çështjet ekonomike dhe financiare (ECOFIN) si dhe të tregut të brendshëm, me fokus angazhimet e marra nga qeveria shqiptare në kuadër të zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga MSA-ja si dhe rekomandimeve të progres-raportit Vjetor të Komisionit për Shqipërinë (2008). Përfaqësuesit e palës komunitare deklaruan se ishin pozitivisht të befasuar për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2008, ruajtjen e këtij ritmi zhvillimi, ecurinë në sektorin e privatizimit si dhe përmirësimin e dukshëm të klimës së biznesit, krahasuar kjo edhe me vendet e tjera të rajonit. Ata mirëpritën treguesit e kësaj rritjeje ekonomike ndaj së cilës kishin treguar skepticizëm, nisur nga kriza e thellë ekonomike që ka mbërthyer Evropën dhe më gjerë. Çështjet konkrete që u trajtuan në këtë takim ishin: Zhvillimi i përgjithshëm ekonomik dhe perspektiva në Shqipëri, inflacioni dhe politika monetare, sektori i jashtëm, bilanci i llogarive rrjedhëse (bilanci tregtar, remitancat) dhe llogaria financiare, zhvillimet fiskale dhe perspektiva në Shqipëri, marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare, zhvillimi dhe reformat në sektorin financiar, ristrukturimi i ndërmarrjeve shtetërore (në veçanti KESH), planet e privatizimit për vitin 2009, gjendja aktuale e zbatimit, si dhe privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha shtetërore (ARMO, AMC, OSSH, ALBpetrol). Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të). Me hyrjen në fuqi të MSA-së në datën 1 prill 2009, qeveria shqiptare ka detyrim të drejtpërdrejtë për të raportuar për zbatimin e MSA-së, sipas strukturave të përcaktuara dypalëshe Shqipëri – BE. Në këto nënkomitete, pala shqiptare kryesohej nga zv.ministri i Integrimit, z. Albert Gajo, ndërsa ajo komunitare nga drejtori i Drejtorisë për Çështjet Ekonomiko-Financiare pranë KE-së, Christoph Pavret de la Rocmefordiere.