Berisha, Stanila: Nxitje investimeve rumune
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje ambasadorit rumun në Tiranë, Viorel Stanila, intensifikimin e përpjekjeve për nxitjen e investitorëve rumunë për të investuar në Shqipëri. Berisha priti dje Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Rumanisë ne Shqipëri, z. Viorel Stanila, me rastin e fillimit të detyrës. Berisha vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy qeverive, si dhe marrëdhëniet shumë të mira tradicionale e miqësore midis popullit shqiptar dhe atij rumun. Kryeministri i shprehu ambasadorit Stanila angazhimin e qeverisë shqiptare për t’i forcuar edhe më tej këto marrëdhënie në të ardhmen. Ambasadori Stanila i shprehu urimet më të ngrohta Kryeministrit Berisha, duke vlerësuar lart kontributin personal të Kryeministrit për këtë arritje historike për Shqipërinë e shqiptarët. Më tej, ambasadori Stanila i shprehu Kryeministrit Berisha angazhimin e tij të plotë si përfaqësues i Rumanisë në Shqipëri për të kontribuar në forcimin më tej të marrëdhënieve miqësore midis dy popujve, si edhe marrëdhëniet shumë të mira midis qeverive të të dyja vendeve.