E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, 5 milionë dollarë për 1 mijë pronarë



Brenda këtij muaji do të ndahen 5 milionë dollarë për rreth 1 mijë pronarë tokash të zëna nga ndërtimet pa leje. Drejtori i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia, konfirmoi dje lajmin duke thënë se “së shpejti do të nisë ndarja e parave”. Memia tha se Ministria e Financave është duke përgatitur udhëzimin përkatës, i cili do të përcaktojë procedurën e marrjes së lekëve. Burime nga Ministria e Financave shprehen se udhëzimi do të publikohet brenda pak ditësh. Kështu, të gjithë pronarët e tokave të zëna nga ndërtimet pa leje, do të përfitojnë kompensimin për tokën e zënë në vlerë tregu.

Përfituesit

Bëhet fjalë për rreth 1 mijë pronarët tokash, të cilëve qeveria u ka miratuar dosjet. Emrat e pronarëve që janë miratuar nga ALUIZNI dhe janë publikuar në media, do të përfitojnë kompensim. Udhëzimi përkatës pritet që të përcaktojë edhe kriteret se si do të ndahen lekët. Bëhet e ditur se fillimisht do të marrin para emrat e miratuar sa më parë nga qeveria. Njëkohësisht, pronari i tokës do të kompensohet në rast se pronari i ndërtimit pa leje ka shlyer detyrimin e tij tek Agjencia e Legalizimeve. Pronarët e tokave do të hapin një llogari bankare, nga ku do të derdhen lekët.

Por 5 milionë dollarët nuk do të jenë të vetmit. Drejtori i ALUIZNI-t, Shaban Memia, i tha gazetës se për pronarët e tokës do të ketë fonde të tjera, ashtu siç e parashikon ligji që duhet të kompensohen të gjithë. Sipas Memisë, deri tani janë mbledhur rreth 1.4 miliardë lekë ose rreth 14 milionë dollarë. Fillimisht do të ndahen 5 milionë dollarë dhe më pas, në vazhdimësi, do të ndahen paratë e tjera për pronarët. Drejtori tha se procesi po ecën normalisht dhe kjo do të thotë se gjithnjë e më shumë po mblidhen para nga detyrimet që përcakton ligj që duhet të paguajnë pronarët e ndërtimeve pa leje.

Procesi

Aktualisht po vazhdon me hapa të shpejtë dhënia e lejeve të legalizimit në të gjithë vendin. Mësohet se ALUZINI ka dërguar rreth 4 mijë parcela ndërtimore informale të tjera në qeveri për t’u miratuar. Pas miratimit të ndërtimeve në qeveri, pronari i ndërtimit paguan detyrimet sipas kushteve përkatëse dhe shumën që përcakton ligji. Jepet leja e ndërtimit dhe pas këtij procesi, pronari i tokës shkon në hipotekë dhe merr certifikatën e pronësisë, duke regjistruar pronën e tij si pasuri e paluajtshme. Ky është fundi i procesit kur prona mund të quhet jotja ligjërisht. Nga procesi i legalizimit do të përfitojnë vetëm objekte që janë vetëdeklaruar dhe kanë plotësuar formularët e vetëdeklarimit. Deri më tani janë llogaritur rreth 350 mijë objekte, të cilat pritet të legalizohen. Në këtë shifër nuk janë të përfshira shtesat e pallateve të reja, bëhet fjalë pikërisht për ato pallate, të cilat ndërtuesit nuk i janë përmbajtur planit fillestar. Për pallatet e reja, tapitë do të jepen edhe në rastet kur ndërtuesi nuk e ka paguar detyrimin e tij. Sipas variantit të ri të ligjit, legalizimet do të kryhen në favor të blerësit dhe për shoqëritë e ndërtimit do të ndiqen procedurat për shlyerjen e detyrimeve që kanë ndaj shtetit. Por jo të gjitha objektet pa leje janë bërë pjesë e procesit të legalizimit. Të gjitha ndërtimet pa leje që janë bërë pas datës 15 maj, nuk do të legalizohen. Sipas ligjit, personat që kanë bërë ndërtime në zonat arkeologjike apo në zonat e njohura për përmbytje si dhe në ato me ndotje të madhe, nuk do t'u pranohet legalizimi deri në rehabilitim. Gjithashtu, edhe objektet e ndërtuara në zonat turistike nuk janë pjesë e procesit të legalizimit. Kjo, pasi për këtë kategori ndërtimesh legalizimi i objekteve do të nisë pasi të kryhet përcaktimi i vijës kufizuese të këtyre zonave.

Kush paguan në dorë, përfiton 20% ulje

Pronarët e ndërtimeve pa leje të cilëve u është miratuar dosja nga Agjencia e Legalizimeve, do të duhet të paguajnë sipas ligjit shumën përkatëse që ata detyrohen. Por sipas udhëzimit, shuma mund të paguhet me këste, por në rast se paguhet menjëherë, përfitohet 20 për qind ulje. Njëkohësisht, për familjet në nevojë, do të ndërmjetësohet që të merret një kredi me interes zero. Ligji përcakton se ndërtimet jashtë vijës së verdhë me një tokë më pak se 500 metra katrorë, do të paguajnë jo më shumë se 4 milionë lekë të vjetra, kjo në varësi të madhësisë së ndërtimit. Ndërtimet brenda vijës së verdhë nën 200 metra katrorë, do të paguajë të njëjtën sasi, pra, më pak se 4 milionë lekë. Por në rast se pronari i ndërtimit posedon më shumë se 500 metra tokë jashtë vijës së verdhë, dhe më shumë se 200 metra tokë brenda vijës së verdhë, ai duhet të paguajë në vlerë tregu. Tarifa të tjera përdoren për shtesat e pallateve pa leje. Pronari i ndërtimit pa leje që në momentin që i legalizohet banesa, ka 3 vjet afat për ta paguar atë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë, do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe, prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa.

Hipoteka nis dhënien e titujve të pronësisë

Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive kanë filluar të japin certifikatat e pasurisë për ndërtimet pa leje, të cilat kanë marrë legalizimin nga Agjencia e Legalizimit. ZRPP-ja ka njoftuar se Zyrat Vendore të Regjistrimit te Pasurive të Paluajtshme kanë nisur shpërndarjen e certifikatave të pronësisë, pas paraqitjes së lejeve të legalizimit nga ALUIZNI. Qytetari, i cili ka marrë një leje legalizimi nga Agjencia Rajonale e Legalizimit, do të informohet nga kjo e fundit për përcjelljen e dokumentacionit nga ana e saj pranë ZVRPP-së përkatëse. Pronari me leje legalizimi në këtë moment duhet të paraqitet pranë ZVRPP-së përkatëse me njoftimin e ALUIZNI-t dhe të bëjë pagesën e tarifës së shërbimit pranë sporteleve të ZVRPP-së. Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke filluar që nga ky moment, duhet ta shqyrtojnë kërkesën brenda 15 ditëve. ZVRPP-të nuk kanë të drejtë t’i dërgojnë qytetarit akt verifikimi dhe për çdo lloj paqartësie apo mungese dokumentacioni, duhet t’i drejtohet Zyrës Rajonale të Legalizimeve, duke përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve në një kohë më të shpejtë. Në përfundim të procesit qytetari do të pajiset me certifikatë pronësie në rastet kur zona është në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme ose me vërtetim pronësie në rastet kur zona përkatëse nuk është në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rastet kur Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk do të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve, do të kenë sanksione administrative nga ana e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›