E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëngjin, Topalli: Krenare që punoj me Sali Berishën



Sali Berisha është Kryeministri që zbatoi një doktrinë të re ekonomike gjatë këtij mandati qeverisës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi turin e saj në Shëngjin, nga ku deklaroi se qeveria ka ndryshuar Shqipërinë dhe se ajo ndihet krenare që ka punuar me Kryeministrin Sali Berisha. Topalli tha se gjatë këtyre viteve, nga qeveria janë investuar 11 milionë dollarë në Shëngjin, duke ndërtuar rrugë, ujësjellësin dhe diga, që sipas saj, po e kthejnë Shëngjinin në një pikë të veçantë turistike. Nënkryetarja e PD-së vlerësoi punën e qeverisë “Berisha”, duke thënë se ka zbatuar një doktrinë të re ekonomike. “Unë ndihem krenare që kam pasur mundësi të punoj me Kryeministrin Sali Berisha dhe ta mbështes në Parlament në çdo reformë shumë të vështirë që ai ka sjellë në Parlament, por me vullnet, bashkë me kolegët e tjerë, i kemi kaluar të gjitha, pavarësisht nga vështirësitë dhe nga pengesat që kemi gjetur herë pas here gjatë këtyre 4 viteve”, - deklaroi Topalli. Ajo sulmoi kreun e opozitës, të cilin e akuzoi si të korruptuar. “Po të duash vendin, je i motivuar dhe realizon çdo gjë, - tha Topalli, - po të motivohesh vetëm nga 20 përqindëshi siç bën kryetari i Bashkisë së Tiranës, natyrisht që asgjë nuk është e mundur”. Nënkryetarja e PD-së tha se ndryshe nga ky model, kjo qeveri punoi duke luftuar korrupsionin, ulur taksat, duke rritur pagat dhe pensionet, si dhe duke rritur ndjeshëm punësimin. “Një doktrinë ekonomike e bazuar në rritjen ekonomike, një rritje ekonomike që vetëm në vitin e kaluar shkoi në 8 për qind, një doktrinë ekonomike e bazuar në rritjen e rrogave, rritjen e pensioneve, uljen e taksave, një doktrinë ekonomike me një vizion të jashtëzakonshëm që 30 për qind të buxhetit të saj e kalon në infrastrukturë dhe ndërtim”, - tha ajo. Në zgjedhjet e ardhshme, Topalli u shpreh optimiste se shqiptarët do të hedhin votën për partinë e duhur, si dhe premtoi lëvizje të lirë për qytetarët në Evropë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›