Berisha, Szekers: Hungaria, mbështetje integrimit në BE
Anëtarësimi në NATO ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se anëtarësimi në BE është projekti i dytë madhor për qeverinë shqiptare, të cilin ajo e merr me durim dhe seriozitet, si një proces të pandalshëm, bazuar në arritjet dhe meritat në realizimin e standardeve të kërkuara. Këtë i vuri dje në dukje Kryeministri Sali Berisha ministrit të Mbrojtjes së Hungarisë, Imre Szekeres, gjatë takimit në zyrën kryeministrore. Sipas Berishës, 96 për qind e shqiptarëve e mbështesin anëtarësimin në BE si një realizim të vullnetit të tyre për t'iu bashkuar familjes së madhe evropiane, të vlerave të përbashkëta së cilës i përkasin. Kryeministri Berisha i përcolli z. Szekeres urimet më të mira për Kryeministrin e ri hungarez, z. Gordon Bajnai, dhe u shpreh se qeveria shqiptare është mirënjohëse ndaj kombit dhe qeverisë hungareze për mbështetjen edhe ndihmën për integrimin në NATO dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ministri Szekeres i përcolli Kryeministrit Berisha urimet e sinqerta të homologut hungarez dhe të qeverisë hungareze për anëtarësimin në Shqipërisë në NATO, si dhe për hapat drejt integrimit në BE dhe u shpreh: "Qeveria hungareze do të japë çdo lloj ndihme dhe gjithë mbështetjen e saj për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian". Të dy bashkëbiseduesit u shprehën se marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera, veçanërisht ndihma dhe mbështetja hungareze në fushën e modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare ka qenë shumë e vyer, duke pasur parasysh se në këtë fushë, Hungaria ka shënuar arritje shumë të suksesshme. Gjatë takimit u diskutua dhe për zhvillimet në rajon dhe në Kosovë. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Hungaria, duke vlerësuar këtë si një kontribut të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.