E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ndryshime rrënjësore në trupin diplomatik

Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje ndryshime rrënjësore në trupin diplomatik të Shqipërisë. Duke shprehur rezerva për punën e tyre të deritanishme, ai kërkoi më shumë përkushtim nga puna e ambasadorëve shqiptarë në botë. Kreu i qeverisë insistoi që misioni i tyre të mos mbetet vetëm në kornizat politike, por të përhapet edhe në ato ekonomike. Madje z. Berisha këshilloi që një ambasador të jetë baras me një Task-Forcë dhe përveç Shqipërisë të përpiqet të promovojë edhe shtetin e ri të Kosovës. I pranishëm në konferencën e ambasadorëve shqiptarë, që nisi dje në Tiranë, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, informoi se do të bëhen ndryshime rrënjësore në fushën e diplomacisë. Berisha shprehu nevojën e përzgjedhjes së konsujve, të cilët sipas tij, duhet të jenë njerëz me influencën më të madhe të mundshme. “Duhet të punojmë me grupet parlamentare të miqësisë, duhet të organizojmë udhëtime. Pra, ndryshimi është kërkesa më e madhe për ne, sepse kushtet e reja shtrojnë detyra të reja para diplomacisë shqiptare. Unë kam besimin më të madh se ju do ta përmbushni me dinjitet misionin tuaj. Kjo nuk është risi për ju, sepse unë njoh mirë aktivitete shumë të rëndësishme të këtij aspekti, që keni organizuar në metropolet e vendeve ku jeni”, - tha Berisha. Kjo, - shtoi ai, - përbën një barrë shumë të madhe, por kërkon një ndryshim rrënjësor të diplomacisë shqiptare, e cila në tërësinë e vet duhet të shndërrohet në një diplomaci ekonomike. Procesi i integrimit është mënyra më e sigurt për t’i shërbyer këtij procesi. Por kreu i qeverisë foli dhe për detyrat më imediate të diplomatëve shqiptarë në botë. Sipas tij, në axhendën e tyre duhet të jenë konstante takimet me botën e biznesit. Berisha tregoi se çdo ditë pret nga një deri në pesë kompani, të cilave u jep siguri dhe investime në vendin tonë. “Unë kam dy-tre ndihmës, i marr të gjitha koordinatat dhe herë pas herë u telefonojmë avokatëve të tyre, u telefonojmë përfaqësueseve të tyre dhe ndonjëherë vetë ata. Këtë mund ta bëni dhe ju, sepse keni përgjegjësi ndaj atij që e prisni dhe që adresoni drejt vendit tuaj. Për çdo gjë ju mund të njoftoni Kryeministrin, ministrin apo ndonjë agjenci tjetër”, - theksoi Berisha. Kryeministri u kujtoi ambasadorëve se mendimi zyrtar nuk është kurrë në një valë me mendimin real, sepse mendimi zyrtar ka dhe një lloj vetëkufizimi. Sipas tij, mendimin e vërtetë duhet ta kërkojnë te qytetarët e atij vendi, tek afaristët e atij vendi, tek studiuesit e atij vendi dhe do të punojmë me vendosmëri për imazhin. “Është në detyrën tuaj ta konsideroni veten agjenci për imazhin e vendit. Por, sërish njohuritë tuaja ekonomike janë të pazëvendësueshme për të përmbushur këtë detyrë. Ju në ditarin tuaj do të keni të gjitha të dhënat ekonomike për vendin ku jeni, për importet, eksportet, taksat, rrugët se si zgjidhen kundërshtitë, të njihni praktikat më të mira të vendit ku jeni, por duhet të njihni dhe praktikat e vendit tuaj”, - u shpreh Berisha. Kryeministri iu drejtua ambasadorëve që ta quanin veten Task-Forcë të ndryshimit, dhe ky ndryshim sipas shefit të qeverisë, duhet të nisë nga vetë ambasadorët. “Shqipëria është ende një vend i panjohur. Ju duhet ta bëni të njohur në botë. Në këtë Task-Forcë ju mund të angazhoni shumë nga shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në vendin ku jeni akredituar dhe që kanë arritur rezultate të larta në punën e tyre, shumë miq të Shqipërisë që jetojnë në ato vende për të punuar në zgjerimin e marrëdhënieve me Shqipërinë”, - tha Berisha. Në kuadër të kërkesës që vendi ka nevojë për investime të huaja, Berisha theksoi para ambasadorëve të mbledhur në konferencë, se për këtë arsye, puna e ambasadorëve duhet të shtrihet në promovimin e imazhit të vendit, si dhe turizmin e tij. Duke i qëndruar kësaj ideje, Kryeministri këshilloi që Ministria e Jashtme të punësojë sa më shumë ekonomistë në personelin e saj. Berisha iu referua edhe Kosovës dhe në këtë aspekt këshilloi diplomacinë shqiptare të promovojë njohjen e Kosovës. “Sot Kosova është e pavarur, pavarësia shënon kalimin përfundimtar të shqiptarëve nga shtypja në liri. Dua që diplomacia shqiptare të qëndrojë në krye të përpjekjeve për promovimin e kësaj çështjeje të drejtë”, - u shpreh Berisha në konferencën e ambasadorëve shqiptarë për rastin e Kosovës.

Topi: Diplomacia të jetë më vizionare

Kritikat në adresë të ambasadorëve kanë ardhur dhe nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Ndërkohë që po ngurron të hedhë firmën në disa emra të propozuar nga Kryeministri si diplomatë në vende të rëndësishme, ka kërkuar një diplomaci më vizionare. Ai ka kërkuar nga ambasadorët shqiptarë më shumë përkushtim, përgjegjësi, profesionalizëm dhe atdhedashuri. “Në një kohë që interesat kombëtare dhe ato globale janë gjithnjë e më shumë të lidhura dhe të ndërthurura, politika e jashtme e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe misionet tona diplomatike jashtë duhet të ndërtojnë vizione dhe strategji afatmesme dhe afatgjata jo vetëm për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e vendit tonë, por sidomos për t’i siguruar atij pozicionin që meriton në rajon, në Evropë e në botë, në NATO e në Bashkimin Evropian”, - tha Topi në fjalën e tij. Fjalimi i tij ka synuar të prekë shumë problematika, siç është ajo e reformave që po kryen qeveria për të cilat është shprehur se “ndryshimet demokratike kërkojnë reforma shumëplanëshe. Reformat kërkojnë ligje funksionale dhe gjithëpërfshirëse; ligjet kërkojnë vullnet politik e angazhim profesional”. Në këtë prizëm ai shtoi se “shërbimi i jashtëm i Shqipërisë duhet të bëhet përcjellës, zëdhënës dhe pasqyrues i këtyre të vërtetave të rëndësishme shqiptare pranë kancelarive të aleatëve dhe partnerëve tanë”. Ai ka ndarë të njëjtin mendim me Kryeministrin se diplomatët duhet të bëjnë më shumë për promovimin e vendit tonë në vendet ku ata shërbejnë. “Ai duhet të jetë përfaqësues dinjitoz, por sidomos produktiv. Investimi që taksapaguesit shqiptarë bëjnë për hapjen, mbajtjen e përfaqësimeve tona diplomatike dhe të shërbimit tonë me jashtë duhet të përkthehet në prurje të investimeve të huaja për ekonominë shqiptare, në projekte infrastrukture etj.”, - tha Presidenti. Ndërkaq, Presidenti ka kërkuar që argumentet dhe vlerësimet e tij të merren parasysh në politikën e shpërndarjes gjeografike të misioneve tona diplomatike. Duke iu drejtuar ambasadorëve, Topi ka kërkuar prej tyre që të bëhen mbrojtës të bashkësive shqiptare në vendet ku punojnë. “Shërbimi me jashtë i Republikës së Shqipërisë duhet urgjentisht të ndërtojë një strategji të re për diasporën shqiptare në botë, diasporën e re dhe atë të vjetër. Detyrë parësore duhet të jetë mbrojtja e interesave dhe dinjitetit të shtetasve tanë në vendet ku ata kanë shkuar për një jetë më të mirë, ndjekja dhe zgjidhja e vështirësive që ata dhe familjet e tyre hasin”, - theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›