E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, socialistëve: Rama po ju përdor si xhaketa të vjetra

Kryeministri Sali Berisha mori fjalën dje në Kuvend, nga ku lëshoi akuza të ashpra për kreun e PS-së, Edi Rama. Në fjalën e tij drejtuar deputetëve të majtë, Berisha deklaroi se qëndrimi i opozitës ka qenë antikombëtar për sa i përket perspektivës së Shqipërisë në NATO. Ai u tha deputetëve socialistë se po keqpërdoren nga kryetari i tyre. Kjo, sipas Berishës, për shkak se ata janë pjesë e politikës së vjetër që propagandon Rama. "Nuk deklaruat dot ndjesë para shqiptarëve, shpikët dhe trilluat një seri historish. Sot është një ditë e madhe sepse sot në Tiranë ministri i Punëve të Jashtme i Italisë u tha shqiptarëve se në vitin 2009 do të liberalizohen vizat. Me çfarë doni ju o ish-të e mi, a e keni kuptuar ju që udhëheqja ime ju konsideron ish-të e mi sepse ka pështirosje ndaj jush. Politikanë jeni ju, hajdeni dhe përshëndesni momentet historike këtu, mos u llapacisni, mos u përbaltni krejt në baltën të cilën ai, që gjoja ju drejton, ju zhyt çdo ditë e më thellë, o xhaketat e vjetra të Partisë Socialiste”, - tha Berisha. Më pas, në deklaratën e tij, Kryeministri tha se opozita ka organizuar mitingje anti-NATO. “Çfarë ndodhi në Tiranë më datën 3 prill, 30 minuta para se të votohej ftesa për në NATO? Mediat tuaja, të vetmet në botë, u deklaronin shqiptarëve se Shqipëria nuk do të pranohet. Kishin futur një reporter si fotograf që mashtronte çdo sekondë se nuk do të miratohet. Zoti Rama thirri mitingun në të cilin u kapën edhe portretet e Enver Hoxhës, flamujt të rreckosur të Internacionales dhe çdo gjë tjetër përveç flamujve vendimtarë të NATO-s”, - deklaroi Kryeministri, i cili shtoi për deputetët e opozitës se “nuk shqiptuat asnjë fjalë mirënjohjeje apo përshëndetjeje. U bëtë vet si misri vetëm sa nuk përdorët mustaqet e tij për flokë”. Kryeministri më pas foli edhe për lirinë e medias. Ai tha se asnjë media nuk është vënë poshtë nga qeveria, por shtoi se asnjë media nuk do të mundë të mbijetojë në rast se mbron interesa të ulëta. “Mediat që mbrojnë interesat e pronarëve të tyre, janë të destinuara të vdesin. Le të bëjnë qoftë edhe një raport në të cilin të thonë që janë penguar nga qeveria. Paguani taksat dhe gjithë ditën u bini burive kundër qeverisë. Do të jenë të lira në editorialet për të shkruar kundër Kryeministrit”, - deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›