E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi i jep “Naim Frashëri” Tomor Alikos

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje gjatë një ceremonie të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë të Shqipërisë, dhe autorin e librit "Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar nën terrorin komunist", z. Tomor Aliko, me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë. Dekreti jepet “Për qëndresën kundër diktaturës komuniste dhe kontributin e vyer në evidentimin e publikimin e krimeve të saj ndaj kundërshtarëve politikë, veçanërisht ndaj elitës intelektuale të kombit”. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë të Shqipërisë, z. Aliko, u shpreh: “Në radhë të parë falënderoj, Presidentin e Republikës, z. Bamir Topi për vlerësimin që bëri për veprat e mia dhe kjo është jo vetëm për mua, por për të gjithë të përndjekurit politikë të Shqipërisë. Qëllimi kryesor i veprave të mia është vetëm evidentimi i krimeve të komunizmit dhe kësaj ia kam arritur me disa libra, me dy ekspozita, me filmin e fundit “Genocid mbi elitën e kombit shqiptar” dhe jam shumë i kënaqur që kam arritur këtë ditë sot. Megjithatë me gjithë moshën që kam të kaluar premtoj se në qoftë se do të kem jetë, kam për të bërë dhe një ekspozitë, e cila do të mbetet e paharruar”. Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm familjarë dhe miq të z. Aliko, drejtues dhe përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të ish-të përndjekurve politikë Antikomunistë të Shqipërisë dhe të të persekutuarve, si dhe stafi i Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›