Grupi i PS-së: Berisha të vendosë datën për mocionin
Grupi parlamentar socialist vendosi të kërkojë nga Kryeministri Berisha që të vendosë një datë për zhvillimin e mocionit me debat kërkuar nga PS-ja. Pas mbledhjes së radhës të grupit parlamentar, kryetarja e grupit kuvendor, Valentina Leskaj, vuri në dukje se Kryeministri duhet të përgjigjet ndaj të gjitha pyetjeve për çështjen Fazlliç. “U bënë tri javë që grupi parlamentar socialist ka bërë kërkesë për mocion me debat me Kryeministrin, për sa u takon lidhjeve me Fazlliçin dhe raportet e tij me institucionet. Ne i kërkojmë Kryeministrit një datë në lidhje me këtë mocion, pra të vijë në Parlament, duke e respektuar këtë institucion, për të raportuar për lidhjet e qeverisë që ai drejton, ku për institucionet e pavarura ka pasur shqetësim jo vetëm nga opozita, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë shprehur në mënyrë specifike për raportet dhe presionet e krijuara nga qeveria me institucionet e pavarura”, - tha Leskaj. Më tej, ajo vuri në dukje se nga ana e qeverisë nuk ka pasur asnjë reflektim, përkundrazi, është vazhduar me projektet e sjella në Parlament, qoftë me mënyrat e tjera për të bërë presion. Njëkohësisht, Leskaj konfirmoi votën pro ndaj dekretit të Presidentit për kryetaren e Gjykatës së Lartë.