Berisha: Në 104 HEC-e do hapen 60 mijë vende pune
Kryeministri Berisha përuroi dje fillimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, në Bushat, një investim prej 160 milionë euro i kompanisë së njohur austriake në fushën energjetike, Verbund. Sipas kreut të qeverisë, HEC-i i Ashtës është një ndër projektet e mëdha në sistemin energjetik shqiptar, që së bashku me 104 hidrocentrale të projektuar në vend dhe vepra të tjera energjetike do ta shndërrojnë Shqipërinë në një superfuqi energjetike rajonale. “Sot ne hapim siparin e fillimit të punimeve jo në një, dhjetë apo tridhjetë, por në 104 hidrocentrale, të cilët do të fillojnë nga ndërtimi brenda një viti. Janë finalizuar dhe janë në finalizim 60 kontrata, për një total prej 104 hidrocentrale, me një kapacitet prodhues të marrë së bashku 1 mijë megavat, me një investim tërësor prej 2.2 miliardë euro”, theksoi Berisha. Sipas tij, “në këto 104 hidrocentrale, ju garantoj se minimumi i të punësuarve në to do të jetë 60 mijë punonjës në Shqipëri. Në këtë hidrocentral punësohen disa qindra vetë, në kaskadën e Devollit punësohen mbi 5 mijë persona, Skavica, kaskada e Vjosës, e Osumit dhe lumenjtë e tjerë do të fitojnë gjallërinë më të madhe se të gjithë lumenjtë e Europës. Ato do të shndërrohen në një kantier ndërtimi”.