E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet bllokojnë transferimet në burgje

 

TIRANE – Zgjedhjet e qershorit “ngrijnë” për 40 ditë transferimet e të dënuarve në të gjitha burgjet e vendit. Gjatë kësaj periudhe, e cila përfundon më 28 qershor, asnjë i dënuar nuk do të transferohet në një institucion tjetër të vuajtjes së dënimit. Gjithë qëllimi është që ata të mos lëvizin nga vendet ku janë, për shkak se emri i tyre është regjistruar në listat e votimit pranë këtyre institucioneve. Lajmi u bë i ditur dje nga zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Lulzim Kodra gjatë prezantimit të Drejtorit të ri në Burgun 302 në Tiranë, Eduard Gjoni. Sipas Kodrës, për shkak të zgjedhjeve të qershorit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është vendosur bllokimi i çdo transferimi të të dënuarve. Në një prononcim për mediat, zëvendësdrejtori Kodra sqaroi se veprimi i ndërmarrë ishte i mbështetur në Kodin Zgjedhor, i cili caktonte një afat 40-ditor. “Absolutisht nuk do të bëhen transferime. Në varësi të Kodit Zgjedhor, që thotë brenda 40 ditësh ne i kemi ndërprerë transferimet”, tha dje Kodra. “Ne kemi marrë masa dhe ata që kemi çuar listat nëpër institucione, do të qëndrojnë në institucione”, pohoi Kodra. Sipas tij, situata do të kërkojë një sforco, por kjo nuk do të pengojë procesin. “Do të jetë një sforco, por arsye së këta janë paraburgim, por ne do të detyrohemi t’i mbajmë në këto institucione ku janë listat” u shpreh zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Ndërkohë që bëhet e ditur se deri dje rreth 80 për qind e të burgosurve në vend janë pajisur me kartat e reja të identitetit. Procesi i nisur pak kohë më parë nuk ka përfunduar vetëm në 4 prej burgjeve të vendit, në të cilat pritet të përfundojë në ditët në vazhdim.                                       ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›