E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët, së shpejti pa viza në Bosnje-Hercegovinë

Qeveria shqiptare dhe ajo e Bosnje-Hercegovinës po punojnë për liberalizimin e vizave mes dy vendeve. Kryeministri Berisha priti dje kryetarin e Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, zotin Niko Lozançiç. Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash të suksesshme për të ngrohur klimën e investimeve të huaja në vend dhe se investitorët e Bosnjë-Hercegovinës janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri. Z. Berisha bëri një ekspoze të ecurisë së reformave ekonomike dhe politike në Shqipëri, duke nënvizuar se dy projektet madhore për shqiptarët janë integrimi në NATO dhe në BE, për të cilat ka një angazhim të vendosur të qeverisë në përmbushjen e standardeve. Kryeministri Berisha vlerësoi klimën pozitive të bashkëpunimit mes forcave politike në vend në arritjen e reformave më jetike për vendin. Kryetari i Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, z. Lozançiç, pohoi se do të jetë e shpejtë vizita e Kryeministrit Spiriç në Shqipëri dhe se ka një vullnet të madh politik nga qeveria e Bosnje-Hercegovinës për nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim ekonomik dhe projekte të tjera. Në rrugën e këtij bashkëpunimi, z. Lozançiç theksoi se po punohet për liberalizimin e vizave mes dy vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›