Topi, Lozançiç: Minoritetet, urë lidhëse mes dy vendeve
Pakicat kombëtare konsiderohen si urë lidhëse mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në Pallatin e Brigadave kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnje-Hercegovinës, z. Niko Lozançiç. Presidenti Topi, pasi vuri në dukje se Shqipëria e ka konsideruar zhvillimin e marrëdhënieve me Bosnje-Hercegovinën një element të rëndësishëm të politikës së saj të jashtme në rajon, shprehu vullnetin dhe angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona, por edhe në fushën e mbrojtjes, me pjesëmarrjen e trupave tona paqeruajtëse dhe bashkëpunimit, çka do të përbënte një provë të vullnetit dhe mundësive tona konkrete për të ndikuar në stabilitetin dhe paqen në rajon. Duke vlerësuar hapat e ndërmarra nga Bosnje-Hercegovina në rrugën e integrimit, Presidenti Topi përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE-në. Presidenti Topi, vuri në dukje faktin se komuniteti boshnjak në Shqipëri gëzon të gjitha të drejtat dhe është i mirintegruar duke shërbyer si një urë e fortë lidhëse në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Nga ana e tij, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnje-Hercegovinës, z. Niko Lozançiç, shprehu besimin në intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe siguroi angazhim të mëtejshëm e më konstruktiv për zhvillimin e mëtejshëm të tyre, në dobi të të dyja vendeve e popujve tanë. Në këtë pikë, z. Lozançiç vuri në dukje edhe rolin e rëndësishëm që luajnë shkëmbimet dhe bashkëpunimi ndërparlamentar mes dy vendeve tona si dhe prania e pakicave kombëtare respektive, që shërbejnë si urë komunikimi dhe forcimi marrëdhëniesh në të gjitha fushat.