E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, Mal i Zi, “jo” planit të OKB-së për Kosovën

Mali i Zi i bashkëngjitet qëndrimit të Tiranës zyrtare, duke dalë hapur kundër planit 6-pikësh të EULEX-it në Kosovë, hartuar nga Sekretari i OKB-së, Ban Ki Mun. Pas një takimi dje kokë më kokë në selinë e qeverisë, dy kryeministrat, ai i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, konsideruan se ndarja e Kosovës mbi baza etnike është një plan i vdekur që në vitin 1990. Sipas Berishës dhe Gjukanoviçit, një skemë e tillë ndarjeje do të shkaktonte reaksione zinxhir dhe destabilitet në rajonin e Ballkanit. Duke e cilësuar si problem serioz në Ballkan nacionalizmin e serbëve, Berisha dhe Gjukanoviçi kërkuan që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të konsultohet gjerësisht me faktorët lokalë rreth planit që parashikon për Kosovën. Në këtë temë, ata shpresuan se Kosova do të gjejë një projekt të pajtueshëm. Qëndrimi u bë publik gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të dy kryeministrave, Sali Berisha dhe Milo Gjukanoviç, zhvilluar dje në Tiranë. “Planet për ndarjen territoriale të Kosovës në bazë etnike janë plane të varrosura që në vitet ‘90. Kush beson që ky plan duhet të përsëritet në Kosovë, duhet të ketë edhe parasysh faktin se kjo ndarje do të shkaktojë një reaksion zinxhir që mund të na rikthejë sërish në vitet ‘90. Ne jemi për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë dhe për zhvillimin demokratik të saj. Qeveria e Malit të Zi e njohu Kosovën pak kohë më parë edhe duke besuar se ky hap i shërben stabilitetit në rajon”, - tha Gjukanoviç. Kurse kryeministri shqiptar sugjeroi që Këshilli i Sigurimit të gjejë një rrugë të mesme mes planit 6-pikësh të Ban Ki Munit dhe planit 4-pikësh të qeverisë së Kosovës, gjithnjë në përputhje me qëllimin që ka dhe duhet të ketë çdo projekt në Ballkan, paqen dhe stabilitetin. Kryeministri Berisha vlerësoi se "vendosja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës është një zhvillim tërësisht pozitiv që i shërben paqes dhe stabilitetit, ndaj dhe është shumë i mirëpritur". I pyetur mbi planin me 6 pika të OKB-së për Kosovën, Kryeministri Berisha u shpreh se "ky plan paraqet disa probleme shumë serioze". "Në disa aspekte të krijon përshtypjen se favorizon një lloj ndarjeje të butë të Kosovës, por unë nuk mund ta besoj dhe imagjinoj se do të jetë ky qëndrimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe i BE-së. Por edhe përshtypja si e tillë është problematike dhe e rrezikshme", - u shpreh Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe në idenë e hedhur së fundi për një super-pakicë serbe në Ballkan, të cilën e vlerësoi "absolutisht të dëmshme për vetë pakicën, por edhe për Ballkanin në tërësi". "Ballkani është një rajon i pasur me pakica. Nëse problemi i Ballkanit është gjendja e pakicës serbe në Kosovë apo nacionalizmi serb në Beograd, unë mendoj se kjo e dyta vazhdon të mbetet problem i Ballkanit. Ndaj, gjykoj se është e domosdoshme që projektet të konsultohen pak më gjerë edhe me faktorët lokalë", - tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se "aktet e destabilizimit kanë një kosto lokale më të lartë". Në këtë drejtim, Kryeministri shprehu bindjen se në shqyrtimin që do të bëjë, Këshilli i Sigurimit do të marrë parasysh planin me 6 pika dhe planin me 4 pika dhe do të gjejë një projekt të pajtueshëm. Sipas tij, nuk mund të jetë i qëndrueshëm një projekt që mbështetet në të gjitha pikat nga njëra palë dhe nuk përkrahet aspak nga pala tjetër. “Por kohë ka dhe shpresoj që në 'Pallatin e Xhamit' do të gjendet një zgjidhje në përputhje me qëllimin që ka dhe duhet të ketë çdo projekt në Ballkan, paqen dhe stabilitetin", - theksoi z. Berisha.

Berisha, Gjukaniviç: Mali i Zi ndihmoi Kosovën

Shqipëria i është mirënjohëse Malit të Zi për ndihmën që dha ndaj shtetit më të ri të botës, Kosovës. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin malazez Gjukanoviç, Kryeministri Sali Berisha vuri theksin në ndihmën që i dha Mali i Zi Republikës së Kosovës me njohjen që i bëri shtetit të ri. Kryeministri Berisha vlerësoi veçanërisht rolin e Gjukanoviçit në kontributin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. "Shqiptarët kanë pasur dhe kanë tek Milo Gjukanoviç një mik të çmuar, një mik të ditëve të vështira të tyre. Ndihma e tij dhe kombit të tij që iu dha shqiptarëve në ditët më të vështira të tyre në Kosovë, përbën një bazë për marrëdhënie të shkëlqyera mes dy vendeve", - u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Kryeministri shprehu bindjen se kjo vizitë është një kontribut i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe për intensifikimin e tyre, në të gjitha fushat në interes të dy kombeve e vendeve dhe rajonit në tërësi.

Shqipëri - Mali i Zi, projekte në fushën ekonomike

Kryeministri Sali Berisha dhe ai malazez, Milo Gjukanoviç, bien dakord të intensifikojnë të gjitha përpjekjet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që po rritet si pasojë e marrëveshjeve të tregtisë së lirë si dhe për bashkëpunim në infrastrukturë.

Z. Berisha njoftoi dje se qeveria shqiptare mbështet ndërtimin e autostradës adriatiko-joniane. "Qeveria mbështet plotësisht dhe do krijojë lehtësitë e nevojshme për lidhjet infrastrukturore. Këto ditë shpallet fituesi i tenderit Shkodër - Hani i Hotit, së shpejti hapet tenderi për rrugën Shëngjin - Ulqin", - tha Berisha. Gjatë konferencës për shtyp u deklarua se së shpejti do të fillojë lidhja detare Durrës - Tivar dhe ajo ajrore, Tiranë – Podgoricë. Të dy kryeministrat ndanë pikëpamje të njëjta për forcimin e bashkëpunimit në luftën ndaj kriminalitetit dhe mbi zhvillimet në rajon si dhe vendosmërinë për integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Topi, Gjukanoviç: Sistem energjetik rajonal

Në marrëdhëniet Shqipëri - Mali i Zi merr përparësi krijimi i një sistemi energjitik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave e njerëzve, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Të gjitha këto pika u diskutuan dje gjatë takimit që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Kreu i shtetit shqiptar, pasi nënvizoi vendosmërinë e angazhimin e vendit tonë për zhvillimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, që ekzistojnë dhe zhvillohen me vendin mik, Malin e Zi, shprehu angazhimin e Shqipërisë për konsolidimin e Malit të Zi në rrugën e forcimit të demokracisë dhe të zhvillimit të vendit, si dhe për integrimin evropian dhe euroatlantik të vendit, si aspirata të përbashkëta të dy vendeve tona mike. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilët ndajnë një histori të përbashkët, kanë sot të gjitha motivet dhe nxitjen për të bashkëpunuar për një të ardhme evropiane të popujve tanë dhe të rajonit në tërësi. Gjatë takimit, Presidenti Topi, duke vënë në dukje se procese të tjera me interes të ndërsjellë janë edhe bashkëpunimet në fushat e arsimit, bujqësisë, sigurisë dhe rendit publik, mbrojtjes, punës dhe çështjeve sociale, infrastrukturës ndërlidhëse turistike dhe telekomunikacionit, nënvizoi se nënshkrimi i projekt-marrëveshjeve në proces do të nxisnin zhvillimin e mëtejshëm të vendeve tona për të krijuar një rajon me standarde evropiane. Në mënyrë të veçantë, kryetari i shtetit inkurajoi rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, hartimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, atyre për ruajtjen e ekosistemit dhe zhvillimin e turizmit bregdetar. Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, shprehu bindjen se bashkëpunimi rajonal, dialogu politik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare ekonomike do të përmbushin aspiratat integruese të popujve tanë për të qenë anëtarë me të drejta të plota si të BE-së, ashtu dhe të NATO-s. Kryeministri Gjukanoviç u shpreh i bindur se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është e sigurt në gjirin e familjes së madhe evropiane dhe të strukturave euroatlantike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›