Berisha përuron hapjen e panairit e Klik Ekspo Group
“Klik Ekspo Group” hapi dje portat e Edicionit të 15-të i Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar të Tiranës. Kryeministri Sali Berisha ka prerë dje pasdite shiritin e përurimit të Edicionit të 15-të të Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar të Tiranës. Fillimisht, ai ishte i pranishëm në Forumin e parë Ekonomik vjetor të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, në bashkëpunim me shoqërinë “Klik Ekspo Group”. Më, pas të ftuarit e shumtë vizituan pavijonet e panairit që zhvillohet në Pallatin e Kongreseve dhe mjediset përreth tij. Panairi i Përvitshëm Ndërkombëtar mbërrin në edicionin e tij të 15-të dhe ka kënaqësinë që të mbajë portat hapur në datat 25-30 nëntor 2008, pranë Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Ky manifestim ofron standardet më të mira të ekspozimit dhe organizimit, duke kontribuar jo pak në përcjelljen e një imazhi mjaft pozitiv për realitetin shqiptar. Shtete të ndryshme kanë ekspozuar në pavijone të veçanta bizneset e tyre, duke sjellë në këtë panair rreth 200 kompani shqiptare dhe të huaja.