E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në 4 vitet e ardhshme katër herë më shumë investime


Kryeministri Sali Berisha siguroi se gjatë katër viteve të mandatit të dytë, qeveria do të investojë dhe katër herë më shumë në ndërtimin e rrugëve, shkollave moderne, ujësjellësave, tregjeve, etj. Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri mori pjesë sot në inaugurimin e përfundimit të punimeve të rrugës Fier Shegan- Pushimi i Shoferit, në komunën Krutje të rrethit të Lushnjes, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 257.557.340 lekë. Rruga rreth 13 kilometra, me dy korsi, u cilësua nga Kreu i Qeverisë si një vepër madhore për Krutjen, zonë në të cilën, sipas tij, në më pak se katër vjet janë ndërtuar 37 kilometra rrugë, 25 ujësjellësa, disa shkolla, qendra shëndetësore, kabina elektrike dhe instalime të tjera. Shumë shpejt, u zotua Kryeministri përpara banorëve të zonës, do të përurohet fillimi i punimeve të rrugës Pushimi i Shoferit- Divjakë dhe në këtë mënyrë, theksoi ai, do të ndërtojmë njërën prej arterieve më kryesore. Ai siguroi banorët e Krutjes se qeveria që drejton ka qenë dhe do të mbetet qeveria e zhvillimit të qëndrueshëm të zonave rurale. “Në 4 vjet qeveria ka investuar 1.6 miliardë dollarë vetëm në zonat rurale, por ju jap fjalën se në katër vitet që vijnë kjo qeveri do të investojë 3.2 miliardë dollarë në zonat rurale”, tha Kryeministri Berisha. Duke theksuar se për qeverinë që drejton është koha e veprave, e rrugëve, e shkollave, e urave, e rritjes së pensioneve, pagave, koha e universiteteve, z. Berisha tha se "ne po shkojmë drejt mandatit të dytë dhe kërkojmë votën tuaj jo vetëm për këto që kemi bërë, por sepse në 4 vitet e ardhshme do të bëjmë më shumë". Sipas tij, nga viti 2005 e deri tani kemi rritur në mënyrë të pakrahasueshme shpejtësinë e zhvillimit të Shqipërisë. Kryeministri veçoi këtu një premtim të mbajtur të qeverisë, energjinë elektrike, që nuk u ka munguar shqiptarëve. “Ne kemi importuar energji elektrike 4 herë më shumë se në vitet 2004-2008. Unë ju jap fjalën se sa kohë të ketë në treg energji elektrike, ne do të importojmë edhe 5-6 herë më shumë, në mënyrë që në shtëpitë tuaja të mos mungojë drita dhe energjia elektrike”, tha Kreu i Qeverisë. Kryeministri u ndal dhe tek kriza ekonomike që ka përfshirë botën, duke nënvizuar se “ne jeni dëshmitarë të deklaratave jo vetëm të qeverisë, por edhe të të gjithë institucioneve ndërkombëtare, se Shqipëria nuk është në krizë dhe se ajo nuk do të na kapë”. Së bashku, vijoi ai, do të forcojmë ekonomine dhe do të zhvillojmë vendin. “Këtë vit buxheti i qeverisë është 100 % i garantuar për të dyfishuar rrogat e mësuesve, pensionet e fermereve, infermierëve, mjekëve dhe për të ndërtuar qindra e mijëra km rrugë, ujësjellësa, shkolla”, tha z. Berisha, duke garantuar se investimet do të vazhdojnë në Krutje dhe në çdo komunë të Shqipërisë. “Rivali im, duke parë moton tonë të përbashkët se Krutja po ndryshon, Shqipëria po ndryshon, vendosi që të na imitojë. Por, ka një problem se ndryshimi i tij vjen si një ndëshkim i vërtetë”, tha Kryeministri, ndërsa u shpreh “zoti Rama mos i ofendo shqiptarët pasi ata nuk kanë nevojë të jenë vullnetarë as të Edi Ramës dhe as të Sali Berishës, por kanë nevojë të jenë qytetarë të NATO-s dhe ne do t’i bëjmë qytetarë të NATO-s”. Mos i ofendo shqiptarët me xhufka, tha Kryeministri, "sepse kur shohin xhufkat që i kanë parë për 47 vjet me radhë për festën e 1 Majit, vërtetë t’i mund të fërkosh hundën e ndonjë nostalgjiku me to, por për shqiptarët në tërësi ato janë salltaneti i mashtrimit”.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›