Berisha: Po ecim të sigurtë drejt mandatit të dytë me premtime të mbajtura
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e fillimit të punimeve për sistemim-asfaltimin e hyrjes së qytetit të Fierit dhe rikonstruksionin e urës së Mbrostarit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 283. 304. 487 lekë. Kryeministri vlerësoi se ky projekt parashikon ndërtimin e një hyrje moderne me katër korsi dhe që i përgjigjet ritmeve të shpejta të zhvillimit të këtij qyteti. Siç e shihni, u shpreh Kryeministri, investimet janë të shpërndara si në qytete të mëdha, ashtu edhe në qytete të tjera.
“Ne do të donim që të inauguronim dhe fillimin e punimeve të unazës së madhe të Tiranës, por kryetari i Bashkisë së saj po mban peng projektin si Pushkini plaçkat e vjetra. Çfarë mund t`i them unë atij, ai nuk e lëshon projektin. Vetë nuk e ndërton por as projektin nuk e jep”, u shpreh Kryeministri duke iu referuar bllokimit të projektit për Unazën e kryeqytetit nga Bashkia e Tiranës. Kryeministri theksoi se kjo qeveri po shkon drejt mandatit të dytë me hyrje moderne nëpër qytete, me Shqipërinë anëtare të NATO-s, dhe e sigurtë në realizimin e të gjitha premtimeve të dhëna.
“Pra ne po investojmë kudo dhe po ecim në këtë mënyrë drejt një mandati të dytë, me hyrje moderne nëpër qytete, me Shqipërinë anëtare të NATO-s, të sigurt në realizimin e të gjithave premtimeve të dhëna, dyfishimin e pagave të mësuesve, dyfishimin e pensioneve në zonat rurale, dyfishimin e pagave të infermierëve, mjekëve, rritjen 50-70 % të pensioneve në qytet, mbi dyfishimin e numrit të studentëve, internet në të gjitha shkollat etj”, nënvizoi Kryeministri Berisha.
Fjla e plotë e Kryeministrit Berisha:
Fieri është një tjetër qytet i madh, në të cilin ne po ndërtojmë hyrjen. Një hyrje moderne, me katër korsi dhe që i përgjigjet ritmeve të shpejta të zhvillimit të këtij qyteti. Siç e shihni, investimet janë të shpërndara si në qytete e mëdha, ashtu dhe në qytete të tjera, madje ne do të donim që të inauguronim dhe fillimin e punimeve të unazës së Tiranës, por ai po mban peng projektin si ‘Pushkini plaçkat e vjetra’. Çfarë mund t`i them unë atij, ai nuk e lëshon projektin. Vetë nuk e ndërton, por as projektin nuk e jep.
Pra ne po investojmë kudo dhe po ecim në këtë mënyrë drejt një mandati të dytë, me hyrje moderne nëpër qytete, me Shqipërinë anëtare të NATO-s, të sigurtë në realizimin e të gjithave premtimeve të dhëna; dyfishimin e pagave të mësuesve, dyfishimin e pensioneve në zonat rurale, dyfishimin e pagave të infermiereve dhe mjekëve, rritjen me 50-70 % të pensioneve në qytet, mbi dyfishimin e numrit të studentëve, internet në të gjitha shkollat, etj.
Pra, kryetarit të Bashkisë së Tiranës do t’i lëmë xhufkat e 1 majit të viteve ’60. Le t`i mbajë ato sepse, edhe një herë e them, qytetarët ndihen të lënduar me konceptin e vullnetarëve. Të tentosh të vullnetarizosh shqiptarët do të thotë të tentosh t`i pronësosh ata, t`i bësh pronë tënden, në një kohë kur ne duam të jemi qytetarë anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Europian zotëria i tij u thotë bëhuni vullnetarë të Enverit, sepse socialistët i kanë shijet e vullnetarizmit.
Pyetje: Duke parë investimet që bëhen, si investimi i inauguruar në Krutje, por edhe ky në Fier, a mos ndoshta qeveria po investon në qytete që kanë më shumë deputetë?
Kryeministri Berisha: Nuk ka asnjë dallim. Ju e keni parë që unë të gjitha inaugurimet i kam bërë me qeveritarët vendorë në krah si të Partisë Demokratike ashtu dhe të Partisë Socialiste, por tani është fushatë dhe natyrisht ata nuk kanë si të vijnë me mua në krah sepse është normale ata duhet të ruajnë një kod etik, por jashtë fushate ata kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë të pranishëm. Unë kam me ta një partneritet të shkëlqyer. Duke iu referuar këtij rasti ju e shikoni se si po modernizohet hyrja e qytetit të Fierit pavarësisht se Bashkia e tij qeveriset nga socialistët. Por kryetari i Bashkisë së Fierit sigurisht që nuk mund të vinte sepse më pas do t`i plaste lufta me kryetarin e vet.
Pyetje: Pra investimet janë përtej të majtës dhe të djathtës?
Kryeministri Berisha: Absolutisht qeveria nuk bën asnjë dallim dhe ju siguroj plotësisht për këtë. Ne bëjmë vetëm një dallim të vetëm; kemi një projekt që të asfaltojmë me përparësi të madhe të gjitha rrugët që të çojnë në det. Kjo ka një kuptim. Por ne po investojmë në mbarë vendi. Dy ditë më parë kam takuar disa qytetarë sarandjotë dhe më thanë se Saranda e tërë është shndërruar në kantier dhe më falënderuan për këtë. Unë iu thashë se kudo Shqipëria është kantier. Nuk ka ndonjë favor ndaj Sarandës, ndaj Fierit apo ndonjë qyteti tjetër. Ne po investojmë kudo, në Kukës, në Tropojë, në Kolonjë dhe në çdo vend tjetër. Natyrisht në këto kritere përparësi kanë akset që shkurtojnë distancat, rrugët që lidhin me detin, zonat që kanë popullatë më të madhe dhe tregje të fuqishme . Sigurisht që përcaktohen disa përparësi, por ne nuk braktisim asnjë zonë.
Pyetje: Cili është qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj raportit të Departamentit të Shtetit, lidhur me ndërhyrjet e qeverisë në prokurori dhe gjyqësor?
Kryeministri Berisha: Mediat thonë që ka ndërhyrje. Lexojeni raportin siç është. Media e kontrolluar nga Edi Rama thotë që është ndërhyrë. Ju e kuptoni vetë se çfarë terrori ushtron ai mbi mediat. E vërteta është që kjo shënon periudhën e parë në historinë e këtij vendi që po penalizohen zyrtarë. Sigurisht po flihet mbi dosjet e sistemit të kleptokracisë dhe kjo është një gjë shumë e keqe, por po penalizohen zyrtarët e kësaj administrate dhe kjo është një gjë shumë e mirë.
...