Rama: “Të gjithë do të garantojmë zgjedhje të lira”
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, kreu i PS-së foli gjithashtu edhe për zgjedhjet. Rama tha se në Shqipëri zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme mbetet shumë larg, por ai tha se të gjithë shqiptarët sot do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2009. “Shqipëria mbetet një vend ku e drejta e zgjedhjes së lirë e të ndershme është larg së qeni e garantuar dhe ku të gjithë bashkë, pa dallim, duhet të bëjmë gjithçka për të garantuar zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009, të cilat duhet ta ndajnë Shqipërinë nga zullumi i padrejtësive të përditshme të pushtetit në dëm të qytetarit dhe duhet të hapin rrugën e një Shqipërie si gjithë Europa”, - përfundoi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Berisha: “Uroj që Rama dhe Meta të gjejnë konsensus për Kodin”
Kryeministri Sali Berisha është shprehur dje në një konferencë për shtyp se është i hapur të jepet koha e nevojshme që Rama dhe Meta të gjejnë konsensusin për Kodin Zgjedhor. Kryetari i PD-së u shpreh se mban qëndrim neutral për këtë çështje. Ai tha se nuk i intereson se kujt do t’i jepet komisionari, e rëndësishme është që Kodi të miratohet me konsensus. “Ekziston përkushtimi im i plotë dhe total për votën e lirë. Kodi do të votohet, sepse me atë grevë urie nuk kemi patur asnjë lidhje. Për mua, nëse komisionari ishte i Gjinushit, i Ilir Metës, i zotit Milo apo i tjetërkujt, kjo nuk kishte ndonjë dallim të madh, përkundrazi mbajta përbaltjen e grevës së urisë”, - u shpreh kryeministri Berisha, ndërsa ka nxitur dialogun midis partive të opozitës. “Nuk është e vërtetë se nëse jepet koha e nevojshme për dialog do të dëmtohet procesi. Përkundrazi, procesi merr edhe garanci shtesë për këtë diskutim. Unë jam neutral në këtë mes. Uroj që ata të gjejnë një mirëkuptim dhe kaq dhe nuk kam ndonjë gjë tjetër”, - u shpreh më tej kryeministri Berisha, duke nënvizuar se nuk përzihet në çështjet e brendshme të opozitës.
11 Dhjetor 2008