PS: Hetim të Ri për Durrës- Kukës
Partia Socialiste deklaroi dje se mund të kërkojë hetim të ri për rrugën Durrës- Kukës. Këtë e bëri të ditur deputeti Erjon Braçe, një ditë pasi kryeprokurorja Ina Rama tha në komisionin e ligjeve se hetimi i kësaj rruge tashmë është i mbyllur. “Dje, Prokurorja e Republikës ka quajtur skandalin e rrugës Rrëshen Kalimash, “çështje të ezauruar”! Në fakt kjo është një çështje e ezauruar, kjo është çështje e pagjykuar! E hetuar si krim, por i pandëshkuar, sepse është krim i politikës! Në citim të një akti zyrtar të Prokurorisë së Republikës, kërkesë dorëzuar në Gjykatën e Lartë për gjykim, ky krim na ka kushtuar mbi 235 mln euro!”, tha Braçe. Sipas tij PS ka prova të tjera që mund të çojnë në një hetim të ri. “Dua t’u them sot, se ne, në dokument zyrtarë, kemi prova të reja për të kërkuar hetim të ri për këtë krim të pagjykuar deri tani! Krimi ka 2 vite që konsumohet dhe pikërisht për këtë arsye ka dy vite që financohet çdo ditë, në vazhdimësi: kur Prokuroria njoftoi vlerën e dëmit të këtij krimi, shifra totale e projektit e votuar disa herë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ishte 416 mln euro. Deri në fund të muajit Prill, sipas tabelave fiskale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, shifra e paguar për vetëm 60 km të rrugës Rrëshen Kalimash është në 112.3 mld lekë, ose 1 miliardë e 123 mln usd, ose 865 mln euro! Pra, mbi 200% më shumë”, theksoi më tej deputeti i PS.