E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në Universitete, jo më tekste limonada pedagogësh



zirina llambro

"Jo më tekste limonada në shkollat e larta. T'i përvishemi punës për përkthimin e literaturës më të mirë". Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u kërkoi dje drejtuesve te universiteteve, stafeve pedagogjike, që të përkthejnë botime të huaja, kryesisht ato të gjuhës angleze. Gjatë konferencës "Reforma e Mësuesisë", ai u shpreh se duhet të ngihet një grup pune, që të merret me rishikimin e të gjitha teksteve, pasi ka botime që nuk plotësojnë kriteret. Sa i përket vendosjes së gjuhës angleze si kusht për masterin, Berisha nënvizoi se është mjaft e rëndësishme që studentët t'i përshtaten tregut të punës dhe duke zotëruar këtë gjuhë kanë një mundësi më shumë. "është jetike që anglishtja të jetë, pas gjuhës sonë, një gjuhë për të gjithë. Ajo është gjuha e teksteve, është gjuha e shkencës, është gjuha e teknologjisë", tha Berisha. Kreu i Qeverisë theksoi se mbetet problematik raporti pedagogë-studentë. "Duhet të rekrutojmë me shpejtësi pedagogë. Duhet të rrisim numrin e tyre, sepse është fusha ku ne duhet të synojmë me ambicien më të madhe, për të arritur vendet e zhvilluara", tha Berisha. Ndërkohë dje ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, lançoi reformën më të re, e cila do të përfshijë të gjithë mësuesit. Fillimisht do të nisë si projekt pilot në Universitetin e Elbasanit, për përgatitjen e tyre. "Reforma synon përshtatjen e një strukture të re të studimeve, duke iu përmbajtur strukturës me tri cikle të Bolonjës. Në të gjitha universitetet do të përshtaten studimet e masterit në shkencat e edukimit me kohëzgjatje 2 vjet për mësues të shkollës së mesme të përgjithshme dhe profesionale si dhe 1.5 vjet për mësues të shkollës së mesme të ulët (klasa 6-9). Ky model mbështetet kryesisht në përvojën e Finlandës", tha Tafaj. Ai shtoi se reforma e mësuesisë përfshin riorganizimin e studimeve universitare, kualifikimin e vazhduar të mësuesve si dhe hallkat e tjera të rekrutimit dhe karrierës. Kjo reformë është në kohën e duhur. "Efektet e saj janë afatgjata. Si e tillë ajo duhet projektuar dhe zbatuar me shumë kujdes. Finlandës iu deshën 22 vjet që të vjelë frytet e reformës në mësuesi", theksoi ministri i Arsimit. Ai shtoi se me anë të saj do të mundësohet atashimi i 1-2 shkollave 9-vjeçare dhe të mesme pranë universiteteve që përgatisin mësues për të realizuar praktikën e plotë të studentëve si dhe kërkimet shkencore në fushën e edukimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›