E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja, dekretet me votim të hapur



Erald Kapri

Dekretet e Presidentit do të votohen në mënyrë të hapur në Kuvend. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, nisi dje diskutimin e propozimit të katër deputetëve të Partisë Demokratike për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Sipas propozimit të deputetëve Fatos Hoxha, Arenca Trashani, Ilir Bano e Viktor Gumi, rregullorja do të ndryshojnë në dy nene. Së pari, në nenin 58 të rregullores sanksionohet votim i hapur për dekretet e Presidentit, për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me nenin 111 të rregullores duke sanksionuar se Komisioni i Ligjeve, nga 3 javë afat që ka aktualisht për shqyrtimin e dekreteve, do të ketë 8 javë në dispozicion.
Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Këshilli për Rregulloren vendosi që sot të ketë një mbledhje të dytë për miratimin e këtyre ndryshimeve. Në Këshill, morën pjesë vetëm 2 deputetë të opozitës, Damian Gjiknuri e Kastriot Islami, ndërsa nga maxhoranca morën pjesë të gjithë anëtarët Ilir Rusmali, Arenca Trashani, Eduard Halimi, Viktor Gumi e kryetarja e Kuvendit Topalli. Deputeti Gjiknuri, tha pas mbledhjes se ky Këshill nuk është i balancuar siç e kërkon rregullorja pasi numri i anëtarëve në të duhet të jetë i barabartë, 5 me 5, dhe sipas tij, opozita ka vetëm 4 anëtarë në këtë Këshill, ndërsa anëtarin Shpëtim Idrizi ai e cilësoi si pjesë të maxhorancës. Ai e cilësoi votimin e hapur si të papranueshëm, së bashku me procedurën e ndjekur nga maxhoranca që sipas tij, ka frikë se rrjedhin vota në Kuvend. "Dhunimi i këtij parimi synon ushtrimin e presionit ndaj deputetëve, për të imponuar një qëndrim politik në lidhje me emërimet e mundshme në organet kushtetuese", tha Gjiknuri. Por në kundërshtim ndaj deputetit të PS-së, doli Eduard Halimi i PD-së, i cili deklaroi se "në vendet ku zbatohet seanca dëgjimore votimi është i hapur. Seanca dëgjimore që bëhet në Senatin Amerikan është e hapur dhe vetëm e hapur. Ftojmë Zotin Rama të mos i druhet transparencës".
Rregullorja
Sipas deputetëve të PD-së që kërkojnë ndryshimin e rregullores, këto ndryshime rrisin transparencën e punës së Kuvendit. Me ndryshimin e nenit të parë për votimin e hapur ata argumentojnë se "nëse për çështjen e ministrave bëhet votim i hapur, nuk ka arsye që për rastet e dekreteve të Presidentit, për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të ndiqet një formë tjetër votimi. Votimi i hapur sjell një efekt në lidhje me transparencën e procesit dhe tek publiku siguron qartë shprehjen politike të Kuvendit". Ndërsa, përsa i përket ndryshimit të nenit tjetër të rregullores, që e bën nga 3 javë në 8 javë kohën për shqyrtimin e dekreteve në Komisionin e Ligjeve, deputetët e lidhin me mungesën e kohës.

Ndryshimi i rregullores

Neni 58
Votimi i hapur
1. Votimi i hapur bëhet me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike.
2. Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të Buxhetit të Shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.
Ndryshimi:Në pikën dy hiqen fjalët "për emërim dhe shkarkim ministri"
Neni 111
6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tre javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar zhvillon debat për të.
Ndryshimi:Fjala "brenda tre javëve" ndryshon në "brenda 8 javëve"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›