E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrimi i shtëpisë muze të Dash Pezës, LSI del kundër PD: Eshtë butafori e panevojshme



Sekuestrimi i shtëpisë së deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza, ka përplasur aleatët kryesorë në pushtet, Lëvizjen Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike. Pas emetimit të lajmit se një nëpunës i Ministrisë së Kulturës, i shoqëruar nga forca të shumta të policisë, kishin trokitur në derën e shtëpisë së deputetit socialist në Pezë, për të zbatuar një vendim të Këshillit të Ministrave, sipas të cilit banesa duhet t'i kalojë në administrim Ministrisë së Kulturës, reagimi zyrtar i Lëvizjes Socialiste për integrim, përmes Luan Ramës, ishte krejt joaprovues. Sipas Luan Ramës, "veprimi i sotëm i policisë për të sekuestruar shtëpinë e deputetit të Partisë Socialiste Dashamir Peza, është një akt abuziv, një butafori e panevojshme, që stonon në tërë atë mori detyrash të rëndësishme që duhet të kryejë Policia e Shtetit... "
Gjithsesi, ky rreshtim në anën e kundërt i LSI-së, që nuk është i pari, nuk llogaritet të jetë me pasoja për aleancën me Partinë Demokratike për qeverisjen e vendit, pasi LSI të paktën edhe në një rast tjetër ka ruajtur pozitat e saj në gjykimin e gjithçkaje që ka lidhje me Luftën Antifashiste, në rastin aktual e lidhur me Konferencën e Pezës dhe me Babë Myslimin (Myslim Pezën), babanë e deputetit socialist Dashamir Peza, si një nga figurat më të spikatura të kësaj lufte.
Në derën e shtëpisë së deputetit të PS
Një nëpunës i Ministrisë së Kulturës, i mbështetur nga forca të policisë së Tiranës, trokiti mëngjesin e djeshëm në derën e banesës së Dashamir Pezës, deputetit të Partisë Socialiste, një godinë që gjendet në Pezë dhe që dikur është njohur i shtëpia -muze e Konferencës së Pezës. Nëpunësi i ka paraqitur të zotit të banesës, deputetit Peza, një vendim të Qeverisë, që mban datën 12 maj 2010, sipas të cilit muzeu i Konferencës së Pezës, si pronë e paluajtshme shtetërore, i ka kaluar në pronësi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, duke i kërkuar njëkohësisht lirimin e ambienteve. Sipas një komunikimi për shtyp të kësaj ministrie, deputeti Dashamir Peza ka ngritur pretendimin se monumenti në fjalë është në pronësi të tij, por nuk ka paraqitur asnjë dokument për të vërtetuar këtë pretendim. Po sipas të njëjtit komunikim për mediat të Ministrisë së Kulturës, zoti Peza "nuk i lejoi specialistët të merrnin në administrim godinën në përputhje me vendimin e Këshillit te Ministrave. Për të penguar kryerjen e veprimeve ligjore, z. Peza lejoi hyrjen e rreth 40 qytetarëve të moshës së tretë në banesë". Komunikimi përfundon me informacionin sipas të cilit "të gjendur në këtë situatë të ngarkuar artificialisht, u gjykua që marrja në dorëzim të bëhet pa përplasje dhe incidente të panevojshme".
Historia e pronësisë së godinës
Godina ku tani jeton familja e deputetit Dashamir Peza është dhënë në vitet '50 nga pronari i saj, Myslim Peza, për t'u përdorur si muze, pasi aty është bërë mbledhja e rëndësishme e forcave antifashiste shqiptare, e quajtur si Konferenca e Pezës. Godina është konsideruar si muze deri në vitin 1998, ku ka mbërritur në gjendje të rrënuar. Pikërisht në këtë kohë i biri i Myslim Pezës, Dashamir Peza, e ka shembur godinën ekzistuese duke e rindërtuar dhe përshtatur si shtëpi banimi. Njëkohësisht Komisioni i Kthimit të Pronave i ka njohur atij pronësinë e 600 metër/katror sipërfaqe që zë kjo godinë. Në vitin 2006 objekti hiqet zyrtarisht edhe si monument kulture, pasi Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me anë të vendimit nr.7 të datës 16.10.2006 "miraton në unanimitet heqjen nga lista e monumenteve të kulturës të atyre objekteve, që lidhen me ngjarje dhe figura të veprimtarisë së Partisë Komuniste shqiptare dhe që nuk kanë vlera kulturore". Në këtë listë, me numër rendor 20, është edhe "shtëpia ku u mbajt Konferenca e Pezës". Por çuditërisht, dy muaj më pas, më 13.12.2006 Këshilli i Ministrave del me një vendim, sipas të cilit "prona e paluajtshme shtetërore, Muzeu i Konferencës së Pezës, i kalon në juridiksionin Bashkisë së Tiranës". Një vendim i vështirë për t'u interpretuar. Gjithsesi, pak më shumë se tre vjet pas këtij vendimi, më 12 maj 2010, Këshilli i Ministrave, me anë të një vendimi e heq "Muzeun e Konferencës së Pezës" nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që ishin nën juridiksionin territorial e administrativ të Bashkisë së Tiranës, duke ia kaluar Ministrisë së Kulturës. Pikërisht me këtë vendim në duar nëpunësi i kësaj ministrie i mbështetur nga policia ka trokitur në derën e banesës së deputetit Dashamir Peza, pa mundur të hyjë brenda, por duke e lënë të hapur këtë çështje për në një moment tjetër, kur "marrja në dorëzim të bëhet pa përplasje dhe incidente të panevojshme".

Përplasja e parë ME PD
Përplasja e parë e Lëvizjes Socialiste për Integrim me aletatin kryesor të saj në pushtet, Partinë Demokratike është regjistruar pak muaj më parë, me rastin e festave të 28 dhe 29 nëntorit. Ku, Lëvizja Socialiste për Intergim, përkundër festimit të 28 nëntorit si datë të çlirimit të vendit nga PD-ja, ka preferuar të mos lëvizë nga orientimi majtas, duke festuar më 29 nëntor.

I zoti i banesës, Dash Peza: është prona ime e trashëguar
I kanë shkuar me një vendim të Këshillit të Ministrave në duar, të shoqëruar nga forca të shumta policie, për t'i marrë banesën ku jeton që nga viti 1998 dhe Dashamir Peza, deputet i Partisë Socialiste, njëkohësisht i biri i Myslim Pezës, një prej figurave më të spikatura të Luftës Antifashiste, është ndier vërtet keq. "Isha në shtëpi kur më trokitën në derë, mu prezantuan si të Ministrisë së Kulturës dhe më zgjatën një vendim të Këshillit të Ministrave, sipas të cilit, shtëpia ime kishte kaluar në pronësi të kësaj ministrie e të tjera të ngjashme. Pak më tej, një grup me policë duket sikur prisnin urdhra për të ndërhyrë", kështu e nis rrëfimin për ngjarjen e djeshme deputeti Peza. Sipas tij, ai i ka kërkuar njeriut të dërguar nga Ministria e Kulturës që t'i paraqiste qoftë një dokument të vetëm që shtëpia është pronë e shtetit, apo e Ministrisë së Kulturës dhe tjetri nuk ka pasur për këtë një përgjigje. "Komisioni i Kthimit të Pronave më ka njohur 600 metër katror të truallit ku është ndërtuar banesa e trashëguar nga babai, një sipërfaqe që prej dy vjetësh nuk ma hipotekojnë. Unë në vitin 1998 e kam ndërtuar nga e para këtë banesë, ku ka jetuar im atë, dhe që nga kjo kohë jetoj këtu. Në vitin 2006 muzeu i Konferencës së Pezës është hequr edhe nga lista e monumenteve të kulturës me anë të një vendimi të ish-ministrit Bujar Leskaj. Për më tepër unë di që shteti nuk ka pasur asnjëherë dokument pronësie mbi këtë banesë. Thjeshtë babai ia la shtetit për muze, por pa u bërë veprime dokumentare. Pra, ajo në asnjë rast nuk është shtetëzuar, që tashmë shteti të pretendojë pronësi ndaj saj", shpjegoi deputeti Peza historinë e banesës së tij.

Deputetët e PS i shkojnë Pezës në ndihmë
Menjëherë pas emetimit të lajmeve të para për tentativën e policisë për sekuestrimin e shtëpisë së deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza, një pjesë e kolegëve të tij kanë marrë rrugën për në Pezë për t'iu gjendur pranë. Shumica e deputetëve, mes të cilëve ai i Durrësit, Gazmir Bizhga, ai i Shkodrës, Ilir Beqja, i Tiranës, Besnik Bare, i Kukësit, Asllan Dogjani, kanë mbërritur në kohën kur policia ishte larguar dhe janë futur në brendësi të shtëpisë së kolegut të tyre për kafe. Aty ata kanë biseduar me Dashamir Pezën për ngjarjen dhe janë larguar rreth një orë më pas, kur janë siguruar se kolegu i tyre ka qenë më i qetë dhe nuk ka pasur nevojë për ndonjë mbështetje emergjente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›