Mjekët në shkolla, paketë e re shërbimesh
Riorganizimi i rolit të mjekëve dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë që kujdesen për shëndetin e nxënësve në shkolla. Detyra të qarta dhe jo më vegjetim i tyre, siç ka ndodhur më parë. Ministria e Shëndetësisë miratoi dje paketën promovuese të shërbimit shëndetësor në shkolla, e para që pas vitit 1998. Ajo përmban 12 çështje të punuara sipas një modeli me mbështetje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku cilësohen qartë për çdo çështje aktivitetet edukuese dhe mjekësore, si të mjekut, ashtu edhe të infermierit, stomatologut dhe psikologut. Mes tyre rëndësi primare kanë dhuna, aksidentet dhe trauma, shëndeti mendor, shëndeti oral dhe ai riprodhues, aktiviteti fizik si dhe problemet e drogës dhe alkoolit. "Kjo paketë eliminon problemin e fragmentarizmit dhe heterogjenitetit në shërbimin shëndetësor që ofrohet në shkolla, duke e bërë atë uniform në të gjithë vendin dhe veçanërisht duke bërë të mundur një orientim të drejtë lidhur me problemet që ka kjo moshë dhe shoqëria në tërësi", është shprehur ministri Vasili. Sipas tij, promocioni mbetet një prioritet absolut i programit të Qeverisë dhe tashmë komuniteti shëndetësor dhe ai i mësuesve në shkolla unifikohet në një të vetëm, ndërsa raporti midis drejtuesve në shkolla dhe mjekeve kthehet në një binom të pazëvendësueshëm. Ministri i Shëndetësisë theksoi se mjekët në shërbimin shëndetësor në shkolla tashmë i kanë të qartë detyrat e tyre dhe edukimi për mospërdorimin e duhanit, alkoolit dhe drogave por edhe kujdesi ndaj HIV-AIDS dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme do të kenë një vëmendje madhore e të vazhdueshme.