E Shtunë, 31 Tetor 2026

I gjithë biznesi: Urgjent “Administrativen”



Biznesi ka bashkuar zërin për miratim të shpejtë të projektligjit për Gjykatën Administrative, “peng” i 84 votave të Parlamentit që maxhoranca aktuale nuk i ka. Koalicioni në Përkrahje të këtij projektligji, përmes një njoftimi theksoi dje se tashmë janë plotësuar gjithë kushtet për të ndërmarrë këtë hap dhe legjislativi duhet të reagojë brenda qershorit. I përbërë nga 35 organizata të biznesit, koalicioni mbështet projektligjin e përgatitur me asistimin e programeve të ndihmës teknike të financuara nga Bashkimi Europian dhe Qeveria amerikane. Këtë përkrahje, grupi i organizatave të biznesit e justifikon me zgjidhjen e problematikave që do të japë ngritja e Gjykatës Administrative. Ky institucion, që nga biznesi kërkohet me ngulm prej gjashtë vitesh, pritet që të jetë më efektiv dhe i drejtë në trajtimin e mosmarrëveshjeve mes individëve, organizatave dhe institucioneve publike qendrore e vendore. Një tjetër pritshmëri nga krijimi i gjykatës lidhet me përfitimet e qytetarëve dhe veçanërisht bizneseve, duke pasur parasysh “gamën” e mosmarrëveshjeve administrative që përfshijnë ato në fushën e tatimeve, regjistrimit të biznesit, licencave prokurimeve, mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin, pensionet dhe regjistrimin e pasurive. Në këtë kuadër, Koalicioni i bëri thirrje parlamentit që të kalojë brenda qershorit projektligjin në fjalë, i cili nëse nuk miratohet shpejt rrezikon financimet e Qeverisë amerikane për Shqipërinë. Disa javë më parë, në një takim të Dhomës Amerikane të Tregtisë, përfaqësues të USAID bënë të ditur se “Administrativja” është kushti për të përfituar financime të mëtejshme nga programet e Qeverisë amerikane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›