Gjyqësori e kriza, Topi takon Uidhers
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim të veçantë në zyrën e tij Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhers. Sipas njoftimit të shkurtër zyrtar të ardhur nga Presidenca, pritja, e cilësuar si takim pune, u shfrytëzua nga të dy personalitetet për të folur për disa çështje të rëndësishme në vend. Njoftimi thotë se Presidenti Bamir Topi dhe Ambasadori Uidhers folën si për situatën e fundit politike për zgjidhjen e ngërçit mes opozitës dhe maxhorancës, ashtu edhe për situatën në sistemin e drejtësisë. "Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, pati sot një takim pune me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon L. Uithers II. Biseda mes kreut të shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit diplomatik të aleatit më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë u përqendrua në situatën aktuale politike në vend dhe çështjet e gjyqësorit shqiptar, për sa u përket zhvillimeve më të fundit në këtë spektër", thuhet në njoftimin e plotë zyrtar të Presidencës. Ambasadori Uidhers ka komentuar në mediat ditët e fundit çështjen e dekreteve për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës nga Kuvendi ai e ka cilësuar si jo transparent dhe të çuditshëm. Në lidhje me kandidaturat e reja ai ka kërkuar transparencë në emërimin e tyre, duke kërkuar që drejtësia shqiptare të ketë njerëz profesionistë me integritet.